Publikimi i të dhënave për pagat, Rama: Prokuroria të hetojë
BKT
Shqipëri

Publikimi i të dhënave për pagat, Rama: Prokuroria të hetojë

Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje sot Prokurorisë të hetojë imtësisht çështjen e publikimit të pagave të qytetarëve.

Në një konferencë për shtyp, Rama u shpreh se, “do të dëshiroja të flisja për një vendim shumë të rëndësishëm që kemi marrë lidhur me një nismë të re të qeverisë për të rritur dhe çuar në një nivel tjetër ndërveprimin me qytetarët, por sot duke pasur parasysh edhe ngjarjen e daljes në kanalet e komunikimit whatsapp të të dhënave mbi pagat, e kam shumë të qartë që nisma do të humbte në vëmendjen tuaj dhe ndërkohë, me plot të drejtë opinioni publik do të dijë qëndrimin tim dhe të qeverisë lidhur me këtë çështje sensitive. Prandaj nesër me gjasë do të bëjmë një komunikim për nismën”.

“Ndërkohë që sot ju kemi ftuar për të folur për ngjarjen e qarkullimit në rrjetet e whatsapp të të dhënave mbi pagat e qytetarëve të Republikë së Shqipërisë”, tha Rama.

“Në radhë të parë dua t’u kërkojë një ndjesë të gjithëve që janë shqetësuar me plot të drejtë për këtë ndërhyrje në këtë aspekt të jetës së tyre private dhe ndërkohë, dua ta nënvizoj që në fillim se kjo është një ngjarje, e cila meriton të hetohet imtësisht”, u shpreh Rama.

“Uroj, shpresoj dhe i bëj thirrje organeve ligjzbatues, prokurorisë që ta kryejnë këtë hetim me të gjithë kapacitetet e tyre. Dhe nga ana tjetër dëshiroj të ndaj me publikun se në këndvështrimin tim, nuk është e vështirë të shohësh se këtu ka një qëllim jo fort të vështirë për t’u kuptuar, për të krijuar konfuzion dhe për të nxitur destabilitet në një përpjekje që s’është e para. Dhe duke pasur parasysh, edhe deklaratat e bëra nga Foltoret e Kuvendeve të antiKuvendeve, mund të mos jetë e fundit”, nënvizoi Rama.

Prandaj, shtoi kreu i qeverisë, “thirrja ime për prokurorinë është që të hetojë duke kërkuar që të përgjigjen, jo vetëm të gjithë, pa përjashtim, inspektorët e tatimeve, të cilët kanë akses në sistemin e pagave, për arsye të punës. Ata që aktualisht punojnë në këtë sistem apo të tjerë që mund të jenë larguar ndërkohë nga ky sistem, në periudhën nga të dhënat e nxjerra deri sot, por edhe ata që nga Foltoret e Kuvendeve të antiKuvendeve paralajmërojnë zymtira të tjera”./atsh


MË SHUME NGA Shqipëri