Milanoviq: Kroacia mbështet anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, gjatë një takimi sot theksuan marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera dhe mundësitë për thellim të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve mike.
Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për Kosovën. Ai në këtë aspekt përmendi rritjen e numrit të Forcave të Armatosura Kroate në misionin e NATO-s në Kosovë, duke thënë se një angazhim i tillë për paqen dhe stabilitetin në rajon është shumë i mirëpritur.
Për më tepër, kryeministri Kurti veçoi bashkëpunimin ndërmjet ministrave të mbrojtjes, që punojnë ngushtë dhe kanë një plan dinamik për bashkëpunim, duke thënë se vizita e parë e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës jashtë vendit ishte pikërisht në Kroaci.
“Qeveria e Kosovës vlerëson përkrahjen e Kroacisë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në iniciativat dhe programet ndërkombëtare dhe rajonale, si Partneriteti për Paqe, A5 dhe RACVIAC, që është synimi ynë imediat”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se shpreson që Kroacia do të vazhdojë përpjekjet në këtë drejtim, në mbështetje të përpjekjeve tona për anëtarësim.
“Destinacioni i Kosovës është i qartë, ne jemi të përkushtuar që t'i bashkohemi NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, tha Kurti.
Ai theksoi se Kosova ka potencial të madh dhe premtues për zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve të mira tregtare me Kroacinë.
Presidenti Milanoviq e përgëzoi kryeministrin Kurti për stabilitetin politik e institucional që e bën Kosovën partner të denjë për bashkëpunim. Ai u shpreh i impresionuar me rritjen ekonomike që ka shënuar Kosova gjatë këtij viti dhe rikonfirmoi mbështetjen e Kroacisë për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO.
Të dy u pajtuan për nevojën për bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të politikave rajonale, por edhe të politikës së jashtme e sidomos ndaj qëllimeve destabilizuese të aktorëve të tretë.























