Lekaj-Përlaskaj: Raporti Kosovë-Kroaci është i veçantë qysh moti
Deputetja shqiptare në parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj-Përlaskaj, e ka komentuar lidhjen e veçantë mes shtetit të Kosovës dhe Kroacisë.
Ajo, në Info Magazine të Klan Kosovës, tha se kjo lidhje krejt speciale mes këtyre dy shteteve daton shumë kohë më përpara.
“Kur flasim për raportin mes Kroacisë dhe Kosovës duhet të kthehemi shumë më prapa. Ne historikisht kemi pasë një raport të mirë mes këtyre dy shteteve, edhe gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë ku shumë të rinj kosovarë kanë studiuar në Kroaci. Edhe gjatë luftës atdhetare në Kroaci ku njëjtë shumë të rinj shqiptarë nga Kosova kanë dhënë jetën dhe kanë luftuar për çlirimin e Kroacisë. Edhe gjatë periudhës së mëhershme dhe edhe tani ka shumë biznese shqiptare të cilët në një mënyrë japin kontribut të madh si tatimpagues dhe punëdhënës të këtij shteti, pasi me zejet dhe bizneset e tyre japin kontribut në zhvillimin ekonomik të Kroacisë”.
“Me ardhjen time në parlamentin kroat mund të them që bashkëpunimet kanë filluar të jenë më të afërta, por kjo është një kontinuitet me vite të tëra i bashkëpunimit mes dy shteteve. Edhe kur s’kemi qenë shtet Kroacinë e kemi pasë mike, ku edhe ne jemi munduar të japim një kontribut me bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë këtu në Kroaci”.
Lekaj-Përlaskaj ka treguar edhe se sa shqiptarë jetojnë dhe veprojnë në shtetin në parlamentin e të cilit ajo është deputete.
“Në Kroaci sipas statistikave të fundit, të vitit 2011, janë të deklaruar rreth 19 mijë dhe tani jemi duke i pritur statistikat e vitit 2021 sepse është bërë regjistrimi i popullsisë. Në Kroaci që prej viteve të 50’ta me ardhjen e studentëve shqiptarë nga të gjitha trojet e ish-Jugosllavisë – Kosovë, Maqedoni e Veriut, Preshevë dhe vende të tjera – ka pasë shoqata të ndryshme të shqiptarëve. E kemi pasë shoqatën e studentëve “Shkëndija” që edhe sot funksionon, e kemi edhe Unionin e Shqiptarëve dhe në perfektura të ndryshme kemi shoqata të ndryshme të cilat punojnë që ta kultivojnë gjuhën, traditën dhe kulturën shqiptare në Kroaci”.
Ajo ka treguar edhe rrugëtimin e saj për të qenë deputete në shtetin e Kroacisë, derisa ka thënë se shqiptarët që jetojnë kanë pasë nevojë për një zë përfaqësues në parlament.
“Nuk është vetëm rrugëtimi i im, por i gjithë bashkatdhetarëve që kanë punuar në shoqata të ndryshme dhe kanë dhënë kontribut. Ka qenë ajo që na ka shtyrë që të shohim se çka është e mundur që të arrijmë qëllimet tona. Gjatë këtij rrugëtimi kemi vërejtur se ajo çka është më e rëndësishme për shqiptarët është që të kemi në parlamentin kroat një zë. Është e drejtë e jona legjitime me të drejtën kushtetuese për pakica që të kemi një përfaqësues, por e kemi një fat të keq që vendi nuk është i garantuar, por hymë në garë me katër pakicat e tjera (boshnjakë, maqedonë, sllovenë dhe malazezë) dhe deri me ardhjen time neve na ka përfaqësuar një deputet boshnjak”.























