Conte: Mbledhja me drejtuesit e Premier Leagues humbje kohe
Antonio Conte sulmon ashpër drejtuesit e Premier League, pas takimit që u zhvillua të enjten për të diskutuar për impaktin që pandemia mund të ketë në shëndetin e lojtarëve.
“Kur ke një mur përpara mund të kërkosh apo të thuash çfarë të duash. Por çdo vendim ishte marrë me kohë. Ne kërkuam që të flisnim. Disa trajnerë u munduan të flisnin për të kërkuar zgjidhje, por besoj se gjithçka ishte vendosur. Humbje kohe? Mendoj se po”, ka thënë trajneri i Tottenhamit.
Gjatë takimit që u mbajt në platformën “Zoom”, trajnerët përfituan nga rasti, duke këmbëngulur që të merrej në konsideratë edhe shëndeti i lojtarëve.
Trajneri i Evertonit, Rafa Benitez ishte shprehur pro një pushimi deri në fund të vitit, pas rasteve të shumta me Covid. Por ky propozim u hodh poshtë nga Premier League, që nuk ka dashur të prishë kalendarin festiv, që tifozët anglez e kanë shumë përzemër.























