Martinez: Italia dhe Franca pengjet e mia
BKT
Sport

Martinez: Italia dhe Franca pengjet e mia

Belgjika është prej vitesh një nga kombëtaret më të forta në planet, por skuadra e Roberto Martinez nuk po arrin të fitojë trofe.

Rrugëtimi në Euro 2020 u ndal pas humbjes 2-1 me Italinë në çerekfinale, teksa aventura në Nations League u ndal në gjysmëfinale, transmeton SS.

“Djajtë e Kuq” e mbyllën pjesën e parë kundër Francës në avantazh të dyfishtë, por kampionët në fuqi të botës përmbysën rezultatin në fraksionin e dytë të takimit pas triumfit 3-2. Belgjika kryeson renditjen për kombëtare të FIFA-s, teksa trajneri spanjoll foli për Eleven Sports rreth pengjeve dhe objektivit të madh në Katar.

“Pas eliminimit nga Italia në Euro 2020, unë isha shumë i zhgënjyer dhe i mërzitur për lojtarët e mi. Ishte e vështirë ta pranoja atë humbje, ndërsa në Nations League u zemërova edhe më shumë.

Luajtëm një pjesë të parë shumë të mirë, por i dhuruam Francës pjesën e dytë të ndeshjes. Tani kemi synime të qarta dhe 12 muaj kohë për të korrigjuar gabimet e pjesës së dytë me Francën.

Hoqëm dorë nga loja për fitore, në pjesën e dytë thjesht tentuam të mos mposhteshim, diçka që thjesht nuk dimë ta bëjmë. Nëse ia dalim të fitojmë Botërorin e Katarit, do të ishte mirë të vazhdonim së bashku deri në vitin 2026”, deklaroi trajneri i Belgjikës.