Rikthehet bora në veri të Shqipërisë
BKT
Shqipëri

Rikthehet bora në veri të Shqipërisë

Reshjet e dendura të shiut kanë përfshirë veriun e Shqipërisë, gjegjësisht të gjithë qarkun e Shkodrës, ndërsa në zonat e thella malore janë rikthyer reshjet e borës.

Për rrjedhojë janë shtuar prurjet në kaskadën e lumit Drin, por situata paraqitet normale në tri hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vau – Dejësit.

Edhe niveli i lumenjve Drin, Bunë dhe Kir si dhe liqeni i Shkodrës janë në kuota normale për periudhën e Dimrit dhe janë disa metër larg zonës së rrezikut që mund të shkaktojë përmbytje në zonën e Nën-Shkodrës, raporton Tch. 

Shtabi i Emergjencave civile raporton se problemi i vetëm i 24-orëve të fundit është energjia elektrike ku po punohet për riparimin e defekteve në fshatrat e Gjegjanit, Rrapës dhe Qafë Malit në Fushë Arrëz, në Puke ka shkëputje të energjisë, në Luf, e gjithashtu edhe në disa zona të Vau Dejës.

Në Shkodër, probleme janë raportuar në Cas dhe në disa lagje të qytetit me Fiderin 5. Teksa dëbora e dendur vazhdon, zonat e thella malore dhe fshatrat turistike të Kelmendit në Malësinë e Madhe janë të izoluara për shkak të bllokimit të rrugës kryesore dhe mospastrimit të saj. Lajmi i mirë është se në Theth, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur në dispozicion dy borëpastruese të reja.

Në ndryshim nga vitet, këtë herë, borëpastrueset në pak minuta largojnë dëborën duke bërë rrugën të kalueshme. Pavarësisht reshjeve të dendura, aktualisht rruga e Thethit është e kalueshme.


MË SHUME NGA Shqipëri