Harta e re gjyqësore, Llagami: Nuk cenohen shërbimet për publikun
Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, deklaroi në një prononcim për mediat pas prezantimit të hartës së re gjyqësore se nuk do të ketë probleme në shërbimet për publikun.
Llagami tha se pas miratimit do kërkohet së paku 6 muaj për të bërë një fazë të implementimit të hartës dhe zbatimit të saj.
Sipas saj, ligji i ka dhënë të drejtë si KLGJ-së ashtu dhe Ministrisë së Drejtësisë që brenda 5 vjetëve ta rishikojë hartën gjyqësore nëse ajo nuk është eficente.
“Me specializimin e gjyqtarëve do të shkojmë drejt rritjes së profesionalizmit dhe cilësisë së shërbimit në gjykata, ajo që ne duam, ajo që reforma ka si qëllim.
Jemi shumë të hapur. Drafti është një propozim i grupit të punës, do bëhen tryeza me të gjithë aktorët, përfshirë të gjithë praktikuesit e ligjit, ndoshta me dhomën e avokatisë, me shoqërinë civile për të reflektuar mbi draftin e propozuar sepse vetëm pasi të përfundojmë këtë proces atëherë do jemi gati për t’ia propozuar Këshillit të Ministrave.
Ajo që grupi i punës ka menduar është që pas miratimit do kërkohet së paku 6 muaj për të bërë një fazë të implementimit të hartës dhe zbatimit të saj, ku kryesore do jetë edukimi i publikut mbi risitë që do ketë harta e re gjyqësore dhe pa diskutim ajo që kemi ne si shqetësim të përbashkët bashkë me ministrin e Drejtësisë është që shërbimet publikut nuk do t’i cenohen sepse ajo është më e rëndësishme.
Ajo që grupi i punës ka bërë analizë dhe ka vlerësuar është që do jetë një histori suksesi në kuptimin e eficencës që do ketë gjykata. Problematika që ka Apeli Administrativ, nuk është problematikë e të qenit një gjykatë, është një problematikë e menaxhimit, e eficencës që ka që nga ana e KLGJ-së po shihet me shumë kujdes si të adresohet në mënyrën e duhur.
Ligji i ka dhënë të drejtë si KLGJ-së ashtu dhe Ministrisë së Drejtësisë që brenda 5 vjetëve ta rishikojë hartën gjyqësore nëse ajo nuk është eficente. Ajo që ne synojmë me hartën e re gjyqësore është specializimi i gjyqtarëve. Duke rritur numrin e tyre në gjykatë dhe duke i specializuar, pa diskutim që gjykimet do të jenë më të shpejta dhe më efikasë ndaj qytetarit. Do shpërndahen në mënyrë më efiçente”, deklaroi Llagami.
Nga ana tjetër ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi se qeveria garanton zbatimin e plotë të kësaj harte.
“Qeveria garanton implementimin e zbatimit të kësaj harte pas hyrjes në fuqi të hartës. Godinat ekzistuese nuk e pengojnë zbatimin e hartës. Sigurisht që shqetësimi ka qenë për Gjykatën e Apelit të Tiranës që do të jetë një gjykatë me juridiksion të përgjithshëm dhe për Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative të Tiranës. Implementimi i hartës do të jetë me faza dhe qeveria garanton zbatimin e plotë të kësaj harte, cilado të jenë efektet financiare. Ne si qeveri në momentin që kjo hartë do të hyjë në fuqi, siç e tha kryetarja e KLGJ do një kohë 6 muaj, ne garantojmë zbatimin e plotë të kësaj harte”, tha Manja./bw























