Asnjë detyrim për vaksinim, e vetmja armë për t’u mbrojtur nga COVID-19
BKT
Shqipëri

Asnjë detyrim për vaksinim, e vetmja armë për t’u mbrojtur nga COVID-19

Kryeministri Edi Rama theksoi sërish sot rëndësinë e procesit të vaksinimit nga qytetarët, si e vetmja masë për t’u mbrojtur nga infeksioni Sars-Cov-2.

Rama gjatë një bashkëbisedimit me ndjekësit e tij në rrjetin social “Facebook”, tha se vaksinimi nuk është me detyrim, por shqetësimi po vjen në rritje, sidomos nga ata që janë të vaksinuar tashmë.

“Nuk ka asnjë detyrim vaksinimi me zor, por ka një shqetësim që po vjen në rritje, pasi po shikojmë çfarë po ndodh në vende të tjera dhe ka një domosdoshmëri për të rritur ndjeshmërinë e shumëkujt lidhur me faktin se vaksinimi është shpëtim, lehtësim i konsiderueshëm, garanci e pakontestueshme shkencore”, tha Kryeministri.

Nga ana tjetër, sipas Kryeministrit Rama, është edhe një çështje e natyrës parimore apo edhe morale.

“Ka të bëjë me faktin se shumëkush që ndjek shkencën, rrugën normale të vaksinimit për të garantuar veten apo të tjerët, ndjehet në vështirësi apo i kërcënuar, kur në mjedise të përbashkëta ndeshet me dikë që nuk është i vaksinuar”, u shpreh ai.

Kryeministri pranon faktin se vaksina nuk të imunizon nga infektimi, por ai theksoi se vaksina të garanton një rezistencë më të lartë dhe të garanton të mos ndërrosh jetë për shkak të imunitet të ulët.

Po ashtu, Kryeministri u shpreh se frekuentimi i mjediseve të përbashkëta me të pavaksinuarit gjithnjë e më tepër po shihet si shqetësim nga personat që tashmë janë vaksinuar.

“Njerëzit e vaksinuar në një masë të madhe pretendojnë se hapësirat e përbashkëta nuk mund të frekuentohen nga njerëz të pavaksinuar dhe kjo është arsyeja pse thuajse në të gjitha vendet pa patur pasaportën e gjelbër virtuale të vaksinimit nuk mund të hysh në lokal apo mjedise publike. Madje, tani po bëhet e detyruar edhe për sportistët, nëse nuk janë të vaksinuar nuk mund të hyjnë në fushë”, tha Rama.

Sidoqoftë, Kryeministri shpjegoi se kjo do të jetë një nga temat që do të diskutohet me qytetarët në formularin e këshillimit kombëtar.

“Në këshillimin kombëtar ne kemi një pyetje ku do të marrim një opinion të njerëzve lidhur me këtë masë. Pra, a duhet Shqipëria të vendosë certifikatën e gjelbër të vaksinimit, si kusht për të hyrë në hapësirat publike apo tubime të mëdha?”, u shpreh ai./atsh


MË SHUME NGA Shqipëri