ATSH dhe WAM, së shpejti me marrëveshje bashkëpunimi
BKT
Shqipëri

ATSH dhe WAM, së shpejti me marrëveshje bashkëpunimi

Me ftesë të agjencisë shtetërore të lajmeve të Emirateve, WAM, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), Valbona Zhupa, zhvilloi një vizitë zyrtare në Dubai për të ndjekur nga afër panairin botëror “Expo 2020 Dubai” ku po merr pjesë edhe Shqipëria me pavionin e saj, “Albania a Timeless Trip”.

Kjo vizitë u mundësua edhe në kuadër të mbulimit mediatik dhe raportimit me lajme nga Agjencia Telegrafike Shqiptare të këtij panairi ku Shqipëria po merr pjesë krahas 190 shteteve nga e gjithë bota.

Gjatë qëndrimit në Dubai, drejtoresha e ATSH-së, Zhupa zhvilloi një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë shtetërore të lajmeve të Emirateve, WAM, Mohamed Jalal Alrayssi, si dhe me Drejtorin e Zyrës së Komunikimit dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Alli Yosef AlSaad.

Gjatë takimit, Zhupa dhe Mohamed Jalal Alrayssi, vlerësuan marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave mes dy agjencive të lajmeve.

Gjithashtu, u diskutua për mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi mes Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe agjencisë shtetërore të lajmeve të Emirateve, WAM për shkëmbimin e lajmeve, por edhe të fotove e videove, të cilat do t’i mundësojnë publikut të dy vendeve më shumë informacion për ekonominë, turizmin, traditat, kulturën etj.

Drejtoresha e ATSH-së e konsideroi të rëndësishëm nënshkrimin e një marrëveshje të tillë edhe në kuadër të bashkëpunimit ndërqeveritar mes dy shteteve, duke sjellë në vëmendje investimin për projektin e madh për Portin e Durrësit nga kompania ikonë e Dubai, “Emmar group”.

Qeveria shqiptare dhe kompania “Emmar group” nënshkruan në 2020 një marrëveshje për ta kthyer portin e Durrësit nga një port mallrash tërësisht të dedikuar turizmit. Investimi prej 2 miliardë eurosh nga kompania “EMAAR” do të krijojë një nga mjediset më të bukura në Adriatik.

Zhupa shprehu falenderime edhe për ndihmën që Emiratet e Bashkuara Arabe ofruan për Shqipërinë pas tërmetit 2019 me rreth 3.2 milionë euro duke garantuar edhe rindërtimin e dymijë banesave të dëmtuara nga tërmeti./atsh


MË SHUME NGA Shqipëri