Grupi i Berishës kërcënon Bashën: Të shtunën do të japim xhevapin
BKT
Shqipëri

Grupi i Berishës kërcënon Bashën: Të shtunën do të japim xhevapin

Sot për herë të dytë në këtë vit që sapo ka nisur grupi i Berishës u drejtua rreth orës 11:00 drejt selisë blu, por dera kryesore, ashtu si dje ishte e mbyllur. Aldo Bumçi, Ivi Kaso dhe Gent Strazimiri tentuan që të hynin brenda por dera nuk u hap.

Deputeti Aldo Bumçi u shpreh se Lulzim Basha e ka kthyer selinë e partisë në bunker dhe se më datë 8 Janar do të çlirohet.

“Kemi ardhur këtu me drejtuesit e tre degëve të Tiranës, me Gentin dhe Ivin dhe kishim caktuar një mbledhje pune dhe vend tjetër për ta bërë përveç shtëpisë sonë nuk ka. Kjo është kthyer në një shtëpi e mbyllur. Është kthyer në një bunker. Kujt i shërben kjo? Të gjejë dikush një të mirë publike, një interes, që opozita të kthehet në burg, bunker.

I shërben vetëm Bashës që të mbajë karrigen e tij dhe Ramës. Opozita është në këmbën ditën e shtunë do ta çlirojë këtë bunker, do ta kthejë në shtëpinë e madhe të demokratëve. Opozita duhet t’i ketë dyert e hapura. I dhamë kohë për një arsye se duam të mirën e opozitës dhe demokratëve. Ai vullnet do të shkojë në vend” tha deklaroi Aldo Bumçi.

Gent Strazimiri ishte edhe më i ashpër në fjalën e tij përpara mediave. Ai tha se të shtunën “do të marrin xhevapin. Janë 44 mijë vetë që duan të hyjnë në PD më datë 8.”.

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi u shpreh dje se për të hyrë në seli në këto ditë kur po bëhet rikonstruksioni i godinës, duhet të njoftohet më parë. I pyetur nga gazetarët nëse është ndjekur kjo procedurë, Bumçi tha “Ku ta marrim lejen te E-Albania për të hyrë te godina?”.

Dje ishte afati i fundit që Sali Berisha i kishte lënë Lulzim Bashës për të dalë nga zyra, ndërsa ditën e shtunë njoftoi protestën dhe deklaroi se “do ta nxjerrim butësisht”./ Abcnews.al


MË SHUME NGA Shqipëri