Qeveria paguan energjinë për bizneset
BKT
Shqipëri

Qeveria paguan energjinë për bizneset

Qeveria do të dalë garant për të zbutur efektet e çmimeve të larta të energjisë për kompanitë, që nga 1 Janari duhet të dalin në tregun e lirë.

Pas kërkesës së 11 organizatave përfaqësuese të biznesit, që kishin ngritur shqetësimin për rritjen e kostove, ministrja e Energjisë Belinda Balluku deklaroi se deri në Qershor do të mundësohet një çmim i zbutur për tensionin e mesëm.

Sa i takon OSSH tarifa e shpërndarjes për bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt që aktualisht është 1.5 lekë është kërkuar të rritet me të paktën 74 për qind duke e çuar atë në 2.61 lekë për çdo kilovat/orë energji të transmetuar.

Sa i takon biznesit të lidhur në 20 kilovolt tarifa aktuale e shpërndarjes e aplikuar nga OSSH është 3.9 lekë për KËh ndërkohë që në aplikimin  ri kërkohet që të bëhet 3.99 lekë me një rritje prej 2.3 për qind në raport me tarifën ekzistuese. Numri i bizneseve që aktualisht përdorin shërbimin e shpërndarjes në këtë nivel tensioni në mënyrë të pavarur është ende i ulët por numri i tyre pritet të rritet me të paktën 7 mijë për shkak të vazhdimit të procesit të liberalizmit një hap që është deklaruar tashmë dhe nga qeveria. Nga janari 2022 këto biznese do të përballen njëkohësisht me çmimet e energjisë në tregun e lirë që janë në nivele rekord si dhe me tarifën e shpërndarjes që do ta paguajnë më vete pranë OSSH.

Po kështu tarifa e shpërndarjes për ata që janë të lidhur në tension 0.4 është kërkuar që të shkojë në 6.63 lekë duke pësuar rritje  nëse miratohet nga ana e ERE.

Tarifa mesatare e shpërndarjes që aktualisht është 4.79 lekë për çdo kilovat të transmetuar llogaritet të shkojë në 6.42 lekë me një rritje 34 për qind në raport me ekzistuesen.Çmimet e energjisë në tregun e lirë kanë arritur nivele rekord të larta të pa imagjinuara ndonjëherë për bizneset por edhe kompanitë publike të sektorit.

Operatori i Sistemit të Transmetimit që aktualisht ka një tarifë prej 0.75 lekë për çdo kilovat të transmetuar ashtu sikurse ka ndodhur këto vitet e fundit ka kërkuar rishikim të tarifës. Ky i fundit ka përllogaritur se, të ardhurat e munguara për vitet 2021-2022, “janë në masën 3,457 milionë lekë ose 0.24 Ieke/kËh, e cila duhet të merret në konsideratë nga ERE për tu përfshire në rishikimin tarifave. Tarifa mesatare 3 vjecare e transmetimit përllogaritet të jetë 1.47 leke/kwh”.

Në muajin nëntor të vitit të shkuar, çmimi i një kilovat/orë ishte 38.73 lekë. Të paktën kjo është tarifa me të cilën Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) furnizoi kompanitë që kanë detyrimin e daljes në tregun e lirë (të lidhura në 35 kilovolt) dhe që nuk kanë gjetur furnizues. Bëhet fjalë kryesisht për kompani publikë që ofrojnë shërbime të rëndësishme dhe për të cilat FMF është e detyruar që t’i mbajë në rrjetin e saj por duke u faturuar çmime tregu.

Çmimet me të cilat po blihet energjia sot janë të paktën 3-4 herë më të larta se çmimet me të cilat furnizohen si bizneset në tregun e lirë edhe ato që janë në tregun e rregulluar. Aktualisht në tregun e lirë janë subjektet, që kanë tensionin 110 kv dhe që kanë shkëputur shumë vite më parë ndërkohë që nga viti 2018 në këtë treg janë bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt.

Bizneset e radhës, që do të përballen me çmime të larta, janë ata të lidhur në tension të mesëm për të cilët qeveria vendosi shtyrjen e liberalizimit deri në qershor në mënyrë që t’i mbrojë ata ndaj çmimeve të larta. Vetëm pak ditë më parë gjatë një tryeze mes Ministrisë dhe bizneseve u nënvizua se çmimet e larta do të falimentonin bizneset vendase nëse do të liheshin në treg të lirë nga janari sikurse ishte lajmëruar.

Qeveria vendosi që deri në qershor bizneset e lidhur në tension 20,10,6 kv të furnizohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) me një çmim më të ulët sesa ai i tregut të lirë, por më i lartë gjithsesi se tregu i rregulluar. Modeli që do të funksionojë sipas OSHEE është shkrirja e çmimit me të cilin sigurohet energji nga KESH për këtë grup bizneset së bashku me çmimin me të cilën sigurohet diferenca në tregun e lirë. Kjo sipas përfaqësuesve të OSHEE do të japë një çmim prej 18-22 lekë/kwh, që është sa gjysma e atij me të cilin energjia u sigurua në nëntor.

Nëse çmimet do të kenë ulje atëherë pas qershorit qeveria do të vijojë negociatat me bizneset për të vijuar me liberalizimin dhe daljen përfundimtare të këtyre bizneseve në treg.

Nëse këta të fundit nuk gjejnë furnizues atëherë FMF do të sigurojë energjinë edhe për ta përmes një tarife që është miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe që përfshin në të koston e energjisë së blerë në treg, kostot operative për procesin, tarifën e shpërndarjes si dhe një mazh minimal fitimi. Në çdo rast aplikimi i kësaj formule ka në thelb dekurajimin e bizneseve për të qëndruar tek kompania publike duke tentuar gjetjen e furnizuesve privatë. /N.Maho

Administratori i FSHU, kompanisë bijë të OSHEE, Elton Sevrani, zbuloi detaje se sa mund të jenë këto çmime në Janar.

 “Në një marrëveshje paraprake me KESH, do të jetë me një nivel 12 lek plus minus, dhe duke marrë parasysh shpenzimet e tjera, çmimi do të jetë rreth 18-19 lekë”, deklaroi ai.  

Çmimi do të ndryshojë çdo muaj në varësi edhe të nevojës për të importuar energji. Por ekspertët e tregut të energjisë po shpresojnë në një stabilizim të çmimeve në bursa në Mars, për të mundësuar edhe daljen e plotë të bizneseve në tregun e lirë të energjisë pas Qershorit.

Liberalizimi i tregut është një kërkesë e vazhdueshme që Shqipëria duhet të plotësojë në kuadër të integrimit europian. Por është shtyrë vazhdimisht përgjatë viteve të fundit për shkak të mungesës së kushteve teknike dhe më pas prej tërmetit dhe pandemisë./rtsh


MË SHUME NGA Shqipëri