Basha: Dhuna në selinë e PD-së, e paralajmëruar nga Berisha
Kryetari i PD-së Lulzim Basha i ka konsideruar zhvillimet e fundit në PD si tragjike.
Në një komunikim me mediet, Basha tha se dita e sotme ishte një ditë tragjike për demokratët.
“Sot pati zhvillime tragjike për demokratët dhe mbarë shqiptarët. Po ashtu prania juaj u vonua për 4 orë për shkak të kryerjes së veprimeve hetimore të Policisë Gjyqësore dhe Prokurorisë. Dita e sotme ishte paralajmëruar si ditë sulmi dhe dhune dhe përplasje mes demokratësh nga Sali Berisha. Ishte paralajmëruar si dita e pushtimit me forcë e selisë së demokratëve. Ishte paralajmëruar si dita për të kurorëzuar aksionin e tij personal për të mbivendosur fatin e demokratëve dhe të PD-së, hallin e tij personal”, tha ai.
Basha shtoi se ajo që nisi me pretekstin e një lëvizje demokratizuese e tregoi sot fare mirë fytyrën e saj.
“Lajm i mirë është se shumica e demokratëve nuk iu përgjigjën thirrjes së Berishës për t’u bërë pjesë e skenarit të dhunës. E braktisën siç e kanë braktisur gjatë gjithë këtyre muajve ku ka manipuluar, mashtruar e shpifur për të mbuluar një të vërtetë që tashmë e di çdo kush. Të vërtetën që beteja e Sali Berishës nuk është për askënd tjetër vetëm për atë vetë dhe në këtë betejë nuk kursen askënd. Dëshpërimi i sotëm i Berishës u tregua qartë dhe sot ka patur ditën e fundit politike në Shqipëri”, u shpreh Basha.























