Sarri: Zhvilluam një ndeshje të mirë, merkato e janarit nuk na mjafton
“Ne zhvilluam një ndeshje të mirë. Pas një pjese të parë në pritje, luajtëm një pjesë të dytë të shkëlqyer. Kemi qenë gjatë gjithë kohës brenda ndeshjes kundër një skuadre të fortë dhe ishim në kërkim të barazimit deri në fund”.
Kështu e nisi fjalën e tij Maurizio Sarri pas disfatës që pësoi në San Siro kundër Interit. Ai u shpreh i kënaqur nga paraqitja e ekipit, si dhe komentoi mbi merkaton e Lazios.
“E gjithë pjesa e dytë ishte një lojë e luajtur hapur, pa asnjë lloj frike. Në pjesën e parë na detyruan të mbroheshim më poshtë, jo me zgjedhjen tonë.
Skuadra tregoi solidaritet gjatë gjithë ndeshjes, pa kaluar kurrë në vuajtje reale, me përjashtim të disa minutave. Ndjenja e soliditetit ishte e mirë, shpresojmë t’i japim vazhdimësi në këtë pikë”.
EKIPI- “Do të doja që lojtarët cilësorë të luanin së bashku, por shpesh ne kemi pësuar shumë gola. Për shijen time dhe duke qenë trajneri duhet të bëj disa zgjedhje të ndryshme”.
MERKATO- “Duhet diçka më shumë edhe në nivel numerik. Ka shumë lojtarë, por disa nuk janë të përshtatshëm për lojën tonë. Një sesion merkatoje nuk na mjafton, do të ishte e rëndësishme të fillonim të ndërhynim sepse të bësh gjithçka në një sesion merkatoje mund të jetë e komplikuar”.























