Peach për “Open Balkan”: E mbështesim për sa kohë nuk krijon konkurrencë
I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, sir Stuart Peach, të hënën e 10 janarit, ka deklaruar për nismën “Open Balkan”, se “do ta mbështesim për sa kohë kjo iniciativë nuk krijon konkurrencë”.
Ndërsa ishte i ftuar në një bashkëbisedim me studentë dhe diplomatët e rinj, në kuadër të 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Mbretërinë e Bashkuar, Peach tha se “e respektojmë sovranitetin e Shqipërisë”.
“Nuk duhen parë si garë këto iniciativa të nisur në Ballkanin Perëndimor”.
Marrëveshjet e Open Balkan
Më 29 korrik, tre liderët – asokohe me kryeministrin Zaev – u takuan në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku e cilësuan nismën e tyre si Open Balkan (Ballkani i Hapur).
Ata firmosën disa marrëveshje. Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme është ajo e tregtisë së lirë midis tre vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në vitin 2023 do të hyjë në fuqi kalimi tërësisht i lirë i qytetarëve dhe mallrave midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Marrëveshja e dytë është ajo në kuadër të “agjendës së gjelbër”.
Në të përfshihet mbrojtja dhe shpëtimi nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor.
Kjo agjendë synon njëkohësisht njehsimin me agjendën evropiane.
Memorandumi i përket lirisë së punës në tre vendet, përcjell Albanian Post.
Për shkak se Serbia dhe Maqedonia e Veriut ende nuk e kanë përshtatur legjislacionin me atë të Shqipërisë, pritet që ky memorandum të kthehet në marrëveshje, pasi dy vendet e tjera ta kenë përafruar ligjin.























