Marrëveshje me kompaninë amerikane për mbrojtjen e të dhënave digjitale
Qeveria shqiptare firmosi sot marrëveshjen për forcimin e sigurisë së sistemeve digjitale në vend me kompaninë amerikane, “Jones International”.
Ish-gjenerali i ushtrisë amerikane, James Logan Jones, tashmë drejtues i kompanisë private “Jones International”, firmosi marrëveshjen me qeverinë për të ngritur një sistem, ku të kufizohet edhe numri i individëve që do të kenë akses tek të dhënat.
Kryeministri Edi Rama e përmblodhi këtë marrëveshje si sfidë për ngritjen e një qendre kombëtare të sigurisë për mbrojtjen kibernetike, transmeton euronews.albania.
“Sfida më e madhe është ajo e ngritjes së një qendre të mbrojtjes kibernetike që të jetë në shërbim të ushtrisë sonë dhe të gjitha aspekteve që kanë të bëjnë me pjesën civile të shoqërisë sonë. Është sfidë e jashtëzakonshme, por duke pasur mbështetjen tuaj do ia dalim të kemi një qendër kibernetike që do të jetë një vlerë e shtuar edhe për vetë NATO”, u shpreh kryeministri Edi Rama.























