Sali Berisha dhe Flamur Noka pyeten sot në Prokurori
Dy protagonistët e protestës së dhunshme të 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Flamur Noka, do të pyeten sot nga prokurori i çështjes, Elio Mazreku.
I pari që do të merret në pyetje për të dhënë sqarimet e tij si person që ka dijeni për ngjarjet, duke iu shërbyer hetimeve, është ish-Kryeministri Sali Berisha. Ish-kryetari i PDsë është ftuar që të paraqitet pranë organit të akuzës në orës 11:00, ku do të merret në pyetje nga prokurori i çështjes.
Ndërkohë, deputeti Flamur Noka po hetohet në gjendje të lirë pasi ishte ai që njoftoi zyrtarisht Policinë se në 8 janar do të mbahej një protestë para selisë së PD-së.
Noka do të pyetet nga Mazreku për mënyrën e organizimit të protestës dhe nëse kishte dijeni për skenarët e dhunës që ndodhën.
Një rol në hetim ka edhe dëshmia e sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, i cili po hetohet në gjendje të lirë për veprën penale të mbajtjes pa leje të lëndëve të papërcaktuara. Bardhi do të japë shpjegime në orën 11:00 për gjithçka ka ndodhur brenda dyerve të selisë blu.
Mësohet se kryetari i Partisë Demokratike do të pyetet nga prokurori i çështjes ditën e premte. Nisur nga deklaratat e bëra dhe pamjet filmike, prokurori i çështjes do të pyesë Berishën dhe Nokën nëse ishin ata që kishin organizuar sulmin e dhunshëm ndaj selisë së PD-së dhe përgatitjen me mjete rrethanore, qysqi, vare apo dhe objekte të tjera që u përdorën për të shpërthyer dyert e blinduara dhe për ta marrë selinë, siç kishte deklaruar zoti Berisha me siguri të plotë. Por ai do të pyesë zotin Basha edhe nëse janë përdorur nga brenda selisë së PD-së lëndë lakrimogjene, siç pretendojnë organizatorët e protestës./panorama.al























