Sali Berisha në Prokurori: Basha u mbrojt nga fondamentalistë
Prokuroria e Tiranës mori dëshminë e ish-kryeministrit Sali Berisha për protestën e dhunshme të 8 janarit te selia e Partisë Demokratike.
Zoti Berisha tha se kryetari sipas tij i shkarkuar i partisë, Lulzim Basha u mbrojt nga vrasës, trafikantë, pengmarrës dhe fondamentalistë.
Ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit me përpikmëri në orën e caktuar 11:00 në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar për protestën e dhunshme të 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike opozitare.
Deputeti Berisha tha se në prokurori u thirr me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe se kryetari i demokratëve Lulzim Basha ishte vegël e qeverisë. Mbështetësit e zotit Berisha protestuan për zbatimin e vendimit të Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit dhe referendumit të anëtarësisë që shkarkoi kryetarin Lulzim Basha, që nuk njihen zyrtarisht nga Partia Demokratike.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe kundërshtarët brendapartiakë u përfshinë në akte dhune. Sikurse premtoi, zoti Berisha foli me mediat pas më shumë se dy orësh dëshmi te prokurorët e çështjes Elio Mazreku dhe drejtuesja Elisazbeta Ymeraj, raportoi korrepsondenti i RTK-së Denion Ndrenika.
“Lulzim Brava i rrethuar nga një bandë vrasësish, trafikantësh, pengmarrësish, fondamentalistësh, përbën momentin më dramatik, dëshminë më flagrante të shkrirjes në një të narkoshtetit dhe lidhjeve të një politikani me krimin. Si ka mundësi që të njëjtat armë që përdorte narkopolicia e Edi Ramës përdorte banda e Lulzim Bravës”?!
Ish-kryetar i Partisë Demokratike, Berisha tha se lirimi nga gjykata i protestuesve meritonte kërkimfalje për ndalimin dhe arrestimin e tyre. Në prokurori dëshmoi më pas mbështetësi i zotit Berisha, ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Kryetari opozitar Lulzim Basha dhe sekretari i Përgjiithshëm, Gazment Bardhi janë thirrur të dëshmojnë të premten më 14 janar në prokurori.























