Meta: Protesta e 8 janarit, moment tragjik i një procesi politik degradues
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u shpreh sot në një konferencë për shtyp se, 8 janari është një moment tragjik i një procesi politik degradues.
I pyetur për protestën e 8 janarit në selinë e PD, Meta tha se, “8 janari në vlerësimin tim si President i Republikës, nuk është një ngjarje e izoluar, por është një moment tragjik i një procesi politik degradues që po zhvillohet prej muajsh dhe vitesh në sytë e të gjithë shqiptarëve, thelbi i të cilit është mungesa e ballafaqimit demokratik me votë të lirë dhe mënyrë transparente. të mos harrojmë se jemi ende në kushtet kur demokracia shqiptare dhe pothuajse të gjitha institucionet janë minuar prej vitesh nga kapja graduale e të gjithë segmenteve shtetërore, institucionet e pavarura dhe të shoqërisë civile. Dhe pikërisht kur të gjithë energjitë duhet të mobilizoheshin për të rivendosur sundimin e ligjit, sistemin e llogaridhënies në vend dhe vetë brenda partive dhe mbi të gjithë besimin tek demokracia dhe institucionet e saj, prej muajsh e vitesh po bëhemi dëshmitarë të kërcënimit të një institucioni tepër jetik për demokracinë dhe pluralizmin e vërtetë, atë të opozitës, por edhe atë të votës së lirë”.
“Nuk dua të bëhem palë dhe asnjëherë nuk kam synuar të bëhem palë në konfliktin që ka lindur në PD, por si President i Republikës jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimit e konfliktit të panevojshëm brenda partisë më të madhe opozitare, që mund dhe duhet të ketë vetëm një zgjidhje, votën e lirë dhe respektimin e vullnetit të shumicës, si edhe garantimin e fraksioneve”, tha Meta.
“Përdorimi i forcës si ndaj dyerve dhe dritareve dhe akoma më keq edhe ndaj protestuesve dhe qytetarëve është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Akuzat për infiltrimin e qëllimshëm të personave me precedentë kriminalë dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore brenda godinës së PD-së, janë alarmante dhe kërkojnë përgjigje të paanshme”, shtoi Meta.
Meta theksoi se, “është gjithashtu e papranueshme të mohohet çdo mekanizëm demokratik zgjidhjeje duke nxitur në këtë mënyrë tinëzisht ushtrime të forcës dhe revoltën. Pra kur të gjithë e kanë të qartë që përdorimi i dhunës nuk do të jetë dhe s’duhet të jetë mekanizmi që mund të legjitimojë marrjen e pushtetit, padyshim që është po kaq i dënueshëm edhe përdorimi i dhunës, për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit, apo të godinave duke shmangur ballafaqimin demokratik dhe transparent bazuar në votën e lirë, bazuar në Kushtetutë dhe në statutin e vetë partive”.
“Mjetet fizike dhe policeske nuk mund të jenë zgjidhje për asnjërën palë, por vetëm ballafaqimi demokratik përmes votës së lirë. për më tepër që kjo forcë politike është dhe anëtare e PPE dhe do të jetë një shembull në këtë drejtim”, theksoi Meta.
Sidoqoftë, shtoi Meta, “zhvillimet e 8 janarit sollën edhe ndonjë shembull pozitiv që bën thirrje për reflektim, siç është dorëheqja e rojës së selisë së PD për të mos qenë dëshmitar i dhunës. Uroj që të gjithë të ngrihen në nivelin e përgjegjshmërisë së tij”.
Presidenti Meta gjithashtu publikoi edhe një komunikim me mesazhe me deputetin demokrat Belind Këlliçi, të cilit i kërkon të mos humbasë kontrollin paqësor të protestës./atsh























