Shqipëri: Kuvendi nis sot sesionin e ri
BKT
Shqipëri

Shqipëri: Kuvendi nis sot sesionin e ri

Sot, në orën 16:00, do mbahet seanca e parë dhe nis zyrtarisht hapja e punimeve të sesionit II të legjislaturës së 10- të të Kuvendit të Shqipërisë.

Në rendin e ditës të publikuar në faqen e Kuvendit është vendosur vetëm një pikë, ajo e miratimit të procesverbalit të mbledhjes së kaluar, mbajtur më 20 dhjetor si dhe një fjalë përshëndetëse e Presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan.

Por ky sesion i ri parlamentar pritet të jetë i nxehtë dhe shoqërohet edhe me debate të forta politike mes palëve në Kuvend. Një nga çështjet më të debatueshme pritet të jenë ndryshimet kushtetuese për shtyrjen e mandatit të organeve të vetingut deri në fund të 2024.

PS kërkon zgjatjen e mandatit të organeve ekzistuese, ndërsa PD nuk ka ende një qëndrim zyrtar, pavarësisht se Komisioni i Venecias e dha një mendim për këtë çështje. Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, në një konferencë me gazetarët tha se:

“Përmbyllja e procesit të vetingut me të njëjtat institucione që e kanë bërë këtë detyrë deri tani, është diçka që nuk ka të bëjë me axhendën politike të asnjë force politike në vend. Në frymën e një përgjegjësie që kemi ndaj fateve të vendit, duhet ta mbyllim në javët e para të këtij sesioni detyrën e zgjatjes së afateve të vetingut”.

Ai lajmëroi kështu një bashkëpunim me opozitën për çështje të rëndësishme, pavarësisht situatës ku ndodhet PD, por shtyrja e nisjes së diskutimeve për zgjatjen e mandateve të organeve të vetingut duket se është bërë pikërisht nga ky shkak.

Por, nga ana e saj, PD gjatë këtij sesioni, ashtu siç propozoi edhe në Konferencën e Kryetarëve, pritet të kërkojë shtyrjen e afateve dhe zgjatjen e komisioneve hetimore parlamentare.

Për PD-në, hetimi i zgjedhjeve të 25 prillit dhe afera e inceneratorëve janë dy çështje të panegociueshme, për të cilat është zotuar se do t’i shkojë deri në fund. Por kjo pritet të shihet a do të mbështetet nga socialistët, pikërisht gjatë mbledhjeve të këtyre dy komisioneve. Po ashtu, në Kushtetuese është edhe kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor për çështjen “Bechetti”.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura, nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, duke ngritur shqetësimin për fillimin e punës për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, deklaroi se:

“PD mendon që kjo reformë e rëndësishme duhet të jetë në krye të axhendës së punime të Kuvendit dhe duhet të nisim sa më parë nga puna konkrete”.

Maxhoranca dhe opozita pritet të shihen nëse do të bashkëpunojnë për zgjidhjen e Presidentit të ri, procedura e të cilit nis që në muajin prill, pavarësisht se mandati i tij përfundon në korrik.

PD, nga ana e saj, ka bërë disa ndryshime në përfaqësimin e saj në komisionet parlamentare, duke larguar nga funksionet mbështetësit e Berishës. Kjo nuk pritet të ndikojë në synimet e saj të të bërit opozitë, pavarësisht emrave të ndryshëm, ndërsa për maxhorancën kjo nuk pritet të ketë efekt.

Balla: Do përmbushim detyrimet

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi dje se pret një bashkëpunim me opozitën gjatë këtij sesioni ku duhet të ndërmerren vendime të rëndësishme.

“Kemi biseduar me përfaqësuesit e opozitës lidhur me disa çështje që janë pjesë e kalendarit të punës. Puna kryesore do lidhet me ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Mendoj që sapo Kuvendi të rifillojë punën, ne do kemi mundësi ta detajojmë dhe të synojmë që në seancën e 27 janarit kjo të votohet. Ne të përmbushim të gjitha detyrimet që Kuvendi ka në këtë moment të rëndësishëm. Keqardhje për gjithçka që ndodhi të shtunën e kaluar në selinë e PD-së, por kjo nuk mund të ndërlidhet me punën e Grupit të PD-së në Kuvend”, tha Balla./panorama.al


MË SHUME NGA Shqipëri