Ahmetaj:Presim brenda këtij 6-mujori hapjen formale të negociatave me BE-në
Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, njëkohësisht ministër i Shtetit për Rindërtimin, priti sot në një takim në Tiranë, ministren gjermane për Europën dhe Klimën, Anna Luhrmann, ku në fokus të takimit ishte procesi i integrimit europian.
Ahmetaj në fjalën e tij, bëri të ditur se Shqipëria ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë
“Vizita e ministres në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, e treta pas asaj në Paris dhe Bruksel, është sinjal domethënës i rëndësisë që qeveria e re gjermane vendos te integrimi i procesit europian të Ballkanit Perëndimor me theks të veçantë këto dy vende”, tha Ahmetaj në konferencën e përbashkët për shtyp në Kryeministri.
Zv/kryeministri Ahmetaj shprehu shqetësimin për vonesën e hapjes formale të negociatave me BE-në, ndërsa tha se të gjitha sondazhet tregojnë se 90% e shqiptarëve mbështesin procesin e integrimit në BE.
“Tashmë ne kemi bërë të gjitha “detyrat e shtëpisë“.Sot që flasim nuk ka asnjë vend të BE-së që të mund të shprehë një problematikë me Shqipërinë, e cila të çojë në hapjen formale të negociatave. Megjithatë edhe pse Komisioni Europian ka 3 vite rresht që konfirmon se Shqipëria ka bërë “detyrat e shtëpisë“, e edhe pse Këshilli Europian në vazhdimësi është pohuar e njëjta gjë, akoma nuk ka një datë për hapjen formale të negociatave. Besojmë që 6 muajt e ardhshëm të kemi hapjen formale të negociatave”, deklaroi Ahmetaj.
Sipas Ahmetajt, ashtu si edhe Këshilli Europian e ka theksuar, hapja e negociatave është e bazuar në parimin e meritës individuale.
Zv/kryeministri konfirmoi se e gjithë qeveria dhe administrata konfirmojnë se janë gati të kapin kohën e humbur, menjëherë sapo të hapen negociatat për të përshpejtuar procesin.
“Ndava me ministren falënderimin për kontributin e qeverisë gjermane. Kërkova që Ballkani Perëndimor të mos lihej si një “vakum”politik, ashtu siç e theksoi edhe ministrja, për mundësi të lojërave të aktorëve të tretë, të cilët nuk ndajnë strategjikisht dhe politikisht të njëjtat qëllime me aleatët strategjik, SHBA dhe BE, por dhe me aspiratat e Ballkanit Perëndimor të konfirmuara tashmë“, tha ai.
Ahmetaj bëri të ditur se falë procesit të Berlinit, përmes nismës për Ballkanin e hapur dhe planit ekonomik dhe investimeve të Komisionit Europian Shqipëria dëshiron të krijojë një treg me 18 milionë konsumatorë në favor të qytetarëve dhe sipërmarrjeve të Ballkanit Perëndimor.
Ahmetaj tha se gjatë takimit u fol edhe për sigurinë, si një element i rëndësishëm në bashkëpunimin mes BE e Ballkanit Perëndimor.
“Si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB, Shqipëria i ka ofruar Bashkimit Europian bashkëpunimin për mandatin e saj për periudhën 2022-2023. Falënderova qeverinë gjermane për ekspertizën që ka ofruar. Gjermania i ka atashuar ekipit shqiptar një diplomat me eksperiencë në New York”, tha Ahmetaj.
Më tej, ai theksoi se hapja formale e negociatave jep një sinjal shumë të fortë për të rinjtë e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor për garancinë e të ardhmes së tyre në BE./atsh























