Dialogu Kosovë -Serbi nuk pritet të rifillojë para pranverës
Kosovare Gashi
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk pritet të rifillojë para pranverës. Kështu vlerësojnë njohës te rrethanave politike në vend. Sipas tyre, ky vit mund të jetë vendimtar për dialogun dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve.
Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar presionet tek pala kosovare dhe ajo serbe për rifillimin e dialogut dhe gjetjen e një zgjidhje përfundimtare. Por, njohës të rrethanave politike në vend nuk presin që në pjesën e parë të vitit të ketë takime të nivelit të lartë. Demush Shasha nga Instituti Epik, tha për Radio Kosovën se duke parë presionin e SHBA-së dhe BE-së është i bindur që dialogu do të rinis menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi.
“Në pjesë e parë të këtij viti nuk pritet të ketë zhville për shkak të zgjedhjeve në Serbi, por në pjesën e dytë jam i bindur se do të ketë zhvillime. Jam i bindur për shkak se po shohim një interesim dhe angazhim në rritje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, tha ai
Artan Demhasaj nga Organizata “Çohu” mendon se dialogu do të filloj shpejt pasi edhe kërkesa e sekretarit amerikan Antonny Blinken ndaj kryeministrit Albin Kurti ishte e qartë që Kosova duhet t’i kthehet dialogut sa më shpejt.
“Duhet sa më shpejt që Kosova t’i kthehet dialogut me tendencë që sa më shpejt të arrihet marrëveshja por në njëfarë mënyrë duke u thirrur te ajo – që duhet të respektohet marrëveshjet e kaluara, pra kjo është porosia po kërkohet nga z.Kurti që me tregu lidership”, tha ai.
Njohësit vlerësojnë se sërish do të dialogohet për temat që janë dialoguar deri tani përfshirë edhe asociacionin. Ndryshe gjatë vitit 2021, dialogu Kosovë - Serbi është zhvilluar kryesisht në nivel të ekspertëve, ndërkaq në nivelin e lartë politik janë zhvilluar dy takime Kurti- Vuçiq, njëri në muajin qershor dhe tjetri në korrik. Në asnjërin prej tyre nuk është arritur ndonjë marrëveshje.























