Rama: Synimi ynë, rritje çdo vit e pagave të Forcave të Armatosura
BKT
Shqipëri

Rama: Synimi ynë, rritje çdo vit e pagave të Forcave të Armatosura

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, se ambicia e qeverisë është rritja çdo vit e pagave të Forcave të Armatosura me synim që të arrijë në një moment të caktuar që niveli i pagave të FA të jenë në mesataren e vendeve të NATO-s.

Në ceremoninë e nisjes së punimeve për realizimin e projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, Rama u shpreh se “jemi në kushtet kur në kontekstin e përgjithshëm të NATO-s, kemi pranuar një detyrim të përbashkët për rritjen konstante të buxhetit të mbrojtjes”.

Kjo për ne, shtoi Rama, “do të thotë një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur cilësisht burimet tona njerëzore, duke rritur vijimësisht, vit pas viti, stimulin financiar të tyre”.

“Këtë vit”, theksoi Rama, “ne kemi bërë rritjen më të lartë ndonjëherë të pagave për Forcat tona të Armatosura, por ambicia është që t’i rrisim ato çdo vit dhe që të arrijmë në një moment të caktuar që në nivelin e pagave Forcat tona të Armatosura të jenë në mesataren e vendeve të NATO-s. Dhe kjo është plotësisht e mundur”.

“Nga ana tjetër”, nënvizoi Rama, “me financimet në rritje kemi mundësi të rrisim cilësisht logjistikën dhe të rrisim cilësisht kapacitetet teknologjike të Forcave tona të Armatosura, jo vetëm në funksion të Forcave tona të Armatosura, por edhe në funksion të shoqërisë”.


MË SHUME NGA Shqipëri