Nikolla: Kongresi i Lushnjës, fillimi i parlamentarizmit shqiptar
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përshëndeti sot 102-vjetorin e parlamentarizmit shqiptar
Nikolla shprehu mirënjohje të thellë për veprën e ndritur të parlamentarëve të parë të Shqipërisë.
“102 vjet më parë, më 21 janar 1920, filloi punimet Kongresi i Lushnjës, i cili shënon fillimet e parlamentarizmit shqiptar”, theksoi Nikolla.
“Rrallë ka ndodhur në histori që në më pak se një dekadë pas themelimit të shtetit të pavarur, ky shtet të ketë pluralizmin dhe parlamentin e vet demokratik. Këtë ia mundësuan Shqipërisë burrat e urtë e të mençur, delegatët e Kongresit të Lushnjës”, theksoi kryeparlamentarja.
“Gjithashtu, rrallë gjen në historinë tonë, që një ngjarje e vetme të ketë prodhuar kaq shumë vendime e ndikim kombëtar”, shtoi Nikolla.
“Themelimi i parlamentarizmit, konsolidimi i pavarësisë, fillimet e betejave diplomatike për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe integritetit të Shqipërisë, ndërtimi i administratës shtetërore, krijimi i forcave të rendit dhe projektimi e ndërtimi i sistemit arsimor, nisën nga Kongresi i Lushnjës. Mirënjohje të thellë, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, për veprën e ndritur të patriotëve dhe parlamentareve të parë të Shqipërisë!”, u shpreh Nikolla. /atsh























