Meta: Inkurajoj qytetarët e 6 bashkive të marrin pjesë në zgjedhje
BKT
Shqipëri

Meta: Inkurajoj qytetarët e 6 bashkive të marrin pjesë në zgjedhje

Presidenti Ilir Meta, deklaroi sot se, është me rëndësi rivendosja e integritetit të votës së lirë në themel të gjithë institucioneve.

Në një prononcim për mediet nga qyteti i Korçës i pyetur nëse mbështet një koalicion mes LSI dhe Sali Berishës, Meta tha se, “nuk jemi këtu për t’u marrë me çështje që u takojnë aktorëve politikë”.

“Jemi këtu për të theksuar rëndësinë e rivendosjes të integritetit të votës së lirë në themel të gjithë institucioneve tona, sepse është tronditur mjaft rëndë. Ky është edhe një nga qëllimet e dekretit për 6 marsin dhe i inkurajoj të gjithë qytetarët e 6 bashkive të marrin pjesë në këto zgjedhje. I inkurajoj të gjithë forcat, aktorët të paraqesin kandidatë sa më të mirë, në mënyrë që qytetarët e këtyre 6 bashkive të kenë mundësi që të zgjedhin, të kenë mundësi që të besojnë. Dhe uroj që qytetarët të kenë më shumë respekt për votën e tyre. Vetëm duke marrë pjesë në zgjedhje kanë të drejtë të kërkojnë llogari”, u shpreh Meta.

I pyetur në lidhje me vendimin që pritet të marrë Gjykata Kushtetuese për shkarkimin e tij nga Kuvendi, Meta u shpreh se, “nuk kam asnjë interes se çdo të vendosë Gjykata Kushtetuese për vendimin e Parlamentit të shkarkuar pas zgjedhjeve të 25 prillit, për të shkarkuar Presidentin e Republikës pse ka dhënë intervistë tek Çim Peka”.

“Do të vazhdojmë deri më 24 korrik. Unë e thashë që mezi po pres të shpëtoj nga shoqëruesit dhe nga këto makinat e policisë që nuk i duroj dot fare para-mbrapa, sepse mezi po më pret populli i 2 marsit dhe unë mezi po pres që t’i jap më të mirën time atij populli të mrekullueshëm që ka nevojë për një lidership me karakter me integritet, që mban fjalën dhe që mbron qytetarët shqiptarë që dalin në mes të natës siç i keni parë dje në Tiranë dhe kudo tjetër në mënyrë të dhunshme dhe arbitrare në mes të rrugës. Kështu që të jeni të duruar”, tha Meta.

I pyetur për zgjedhjet e 25 prillit Meta tha se “Rama nuk ka fituar, ka qenë ndeshje e shitur që pa filluar. Ka qenë ndeshje e trukuar”./atsh


MË SHUME NGA Shqipëri