Sanksionet po e dërrmojnë Rusinë: Mos i besoni propagandës së Putinit
   Analiza & Opinione

Sanksionet po e dërrmojnë Rusinë: Mos i besoni propagandës së Putinit

Harley Balzer

Regjimi i Vladimir Putinit është përpjekur të bindë prej kohësh rusët, se sanksionet ndërkombëtare të vendosura pas pushtimit të një pjese të Ukrainë në vitin 2014, janë në fakt të dobishme për vendin.

Po ashtu makineria ruse e propagandës, ka arritur të bindë shumë analistë perëndimorë, se sanksionet e vendosura kundër Rusisë kanë qenë në përgjithësi një dështim. Megjithatë, një sërë burimesh ruse tregojnë histori të ndryshme, dhe zbulojnë pasojat e rënda që kanë shkaktuar në fakt sanksionet e Perëndimit.

Ekonomistët vazhdojnë të debatojnë ende mbi efektin e sanksioneve në rritjen ekonomike, krahasuar me ndikimin e faktorëve të tjerë si çmimet e naftës, luhatjet e monedhës vendase, rublës, si dhe pandemia e Covid-19. Përtej ndikimit të drejtpërdrejtë që kanë, sanksionet po minojnë ndërkohë edhe themelet e zhvillimit ekonomik afatgjatë të Rusisë.

Ekonomia ruse nuk është aq e përgatitur sa të adresojë sfidat e krijuara nga sanksionet ndërkombëtare. Ajo kontrollohet gjithnjë e më shumë nga shteti, dhe sidomos nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Putinit.

Ndërkaq, ajo është e përqendruar në disa rajone dhe konglomerate në bujqësi, si dhe është shumë e varur nga importet në fushën e teknologjisë dhe tejet e korruptuar. Rritja e ulët dhe inflacioni i lartë, kanë ndikuar jo pak tek standardet e jetesës së rusëve të zakonshëm gjatë 7 viteve të fundit.

Kundër-sanksionet e Putinit sollën rritje të çmimeve për produktet ushqimore edhe para pasojave që shkaktoi pandemia e koronavirusit. Në disa rajone të Rusisë, njerëzit raportojnë se shpenzojnë 30 për qind më shumë për ushqimet e përditshme sa sa në vitin 2014.

Sektori shtetëror i Rusisë, ashtu si ai i Kinës, është shumë joefikas, pavarësisht (ose ndoshta për shkak) të subvencioneve të mëdha dhe kredive të lira. Mungesa e efikasitetit të kompanive shtetërore përshkallëzohet,ngaqë shumë prej tyre kontrollohen nga njerëz që kanë punuar me Putinin në Shën Petersburg gjatë viteve 1990.

Rritja e kompanive gjigante industriale dhe e konglomerateve në sektorin e bujqësisë, ka bërë që shumë sektorë të përqendrohen vetëm në disa rajone. Por mbështetja e Rusisë tek teknologjia e importuar, pasqyron një të metë thelbësore të epokës sovjetike. BRSS eksportonte numerikisht më shumë makineri sesa importonte.

Por vlera e asaj që importonte ishte 7 herë më e lartë. Modeli sovjetik i importimit të makinerive të sofistikuara vazhdon ende. Por problemet e Rusisë përkeqësohen nga humbja e një pjese të madhe të kapacitetit sovjetik.

Kur u rritën çmimet e naftës gjatë dy mandateve të para të Putinit, Rusia zgjodhi të investojë në prodhimin e energjisë, duke i përdorur të ardhurat për të blerë teknologji të huaj. Deri në vitin 2013, ekspertët rusë llogarisnin se kompanitë energjetike ruse mbështeteshin tek importet për më shumë se gjysmën e të gjitha pajisjeve bazë të shpimit, dhe më shumë se 90 për qind të teknologjisë së shpimit në det.

Ngjashëm, industria vendase ruse e ndërtimit të makinerive prodhoi mbi 85 për qind të betoniereve dhe vinçave në Rusi, por vetëm 1 për qind të prerësve me lazer dhe ultratinguj, dhe rreth 6 për qind të prerësve metalikë dhe pompave. Ndërkohë, kompanitë ruse të mbrojtjes importojnë ende 20-30 për qind të pajisjeve të tyre elektronike.

Pavarësisht investimeve të mëdha, deri në vitin 2018 zëvendësimi i importit ishte pranuar si një nismë e dështuar. Vizita shumë e mediatizuar e presidentit Putin në një fabrikë ku ai shfaq një vegël makinerie që tregonte suksesin e programit, shërbeu në fakt për të ilustruar problemet e vazhdueshme.

Ekspertët e identifikuan shpejt pajisjen e një makinerie italiane të blerë nga një kompani ruse, që ishte ri-lyer dhe rishitur si ruse me më shumë se dyfishin e çmimit. Duke nisur nga viti2019, autoritetet ruse e kishin zhvendosur fokusin nga zëvendësimi i importit tek“lokalizimi”, duke inkurajuar kompanitë e huaja të ndërtonin fabrika në Rusi, të cilat më pas do të bëheshin “ruse”.

Por lokalizimi është shumë i prekshëm ndaj sanksioneve shtesë. Shumica e pajisjeve të sofistikuara që janë të nevojshme për objekte të tilla vijnë nga Evropa. Çmimi mesatar i një makinerie që vjen nga Gjermania apo Zvicra është mbi 100.000 dollarë. Ndërkohë, pajisjet kineze shiten mesatarisht më pak se 1000 dollarë.

Kinës i mungon pjesa më e madhe e teknologjisë së avancuar që i nevojitet Rusisë. Për shembull, avioni i ri kinez i pasagjerëve, mbështetet në masën 40 për qind në pjesë të importuara. Vetë Kina nuk prodhon procesorë apo çipa të sofistikuar që kërkon Rusia. Sistemi satelitor GLONASS i Rusisë, që shërben si për GPS po ashtu edhe për mbrojtjen nga raketat, është aktualisht i bllokuar pasi pajisjet elektronike nga Kina nuk ishin të përshtatshme kundër rrezatimit në lartësitë e mëdha.

Kinezët kanë qenë po aq zhgënjyes në ofrimin e ndihmës financiare. Euforia e shkurtër në vitin 2014, është pasuar nga rënia e gatishmërisë kineze për të rrezikuar sanksione dytësore duke investuar në Rusi. Kina ka refuzuar financimin e linjave të reja të transportit të

naftës dhe gazit, si dhe ka reduktuar me 75 për qind investimet në Rusi, dhe financon drejtpërdrejt vetëm projektin “Novatek LNG” të drejtuar nga miqtë e Putinit.

Rusia i ka reduktuar masivisht asetet e saj në dollarë ndërsa Kina jo. Pavarësisht marrëveshjeve të përsëritura për përdorimin e monedhave kombëtare në tregtinë e ndërsjellë, dollarët dhe eurot vazhdojnë të dominojnë. Deri më tani vetëm një bankë kineze i është bashkuar alternativës ruse ndaj sistemit të pagesave SWIFT, ndërsa bankat e tjera nuk kanë pranuar të bëhen pjesë. Në këtë sistem janë regjistruar 23 banka të huaja, por vetëm 12 prej tyre e përdorin këtë sistem. Ndërkohë që alternativa e Kinës ka përafërsisht katërfishin e numrit të anëtarëve. Megjithatë, në vitin 2021, përdorimi i SWIFT nga bankat kineze arriti nivelin më të lartë që prej vitit 2015.

Nëse Putin do të pushtojë sërish Ukrainën,teknologjia dhe financat do të jenë fushat që do të cënohen më së shumti nga sanksionet shtesë. Potenciali për të pasur bashkëpunime edhe më të mëdha nga bizneset evropiane është premtues. Madje,ata mund të ndihmojnë për t`i bindur zviceranët që nuk janë anëtarë të BE-së që të ecin edhe më tej duke bashkëpunuar. /abcnews.al

Shënim: Harley Balzer, ekspert mbi Rusinë dhe marrëdhëniet ruso-kineze, dhe profesor në Universitetin Xhorxhtaun.