Edukimi mjedisor drejt zhvillimit të qëndrueshëm
Rtklive
   Analiza & Opinione

Edukimi mjedisor drejt zhvillimit të qëndrueshëm

Edukimi si nevojë njerëzore, në fillet e tij është bazuar në tri shtylla bazë: të shkruarit, të lexuarit dhe të kalkuluarit

Më vonë bëhen avancime të në shkenca natyrore, shoqërore, teknologji etj. Nga mesi i shekullit 20-të zhvillohen fushat edukative me nga një folje prapa fjalës edukim si: edukim qytetar, medial, për paqe si dhe edukimi mjedisor.  Edukimi mjedisor mund të përkufizohet si një proces i drejtuar në krijimin e vetëdijes dhe të kuptuarit të çështjeve të mjedisit që çon në veprime të përgjegjshme individuale dhe grupore. Edukimi mjedisor përfshinë nxënësit në vëzhgimin, matjen, klasifikimin, eksperimentimin, dhe teknika të tjera të grumbullimit të të dhënave e të cilat ndihmojnë ata në diskutimin, parashtrimin, dhe interpretimin e të dhënave për çështjet e mjedisit. Edukimi mjedisor përndryshe nuk është informacion mjedisor në kuptimin e thjeshtë e nuk është as avokim për mjedisin. Edukimi cilësor mjedisor përqendrohet në procesin edukativ, është i paanshëm dhe shkencërisht i bazuar.
Definicionin më komplet që përdoret edhe sot për edukimin mjedisor e ka dhënë Dr. William Stapp në vitin 1969, sipas të cilit "edukimi mjedisor ka për qëllim përgatitjen e një qytetari që është i ditur në lidhje me mjedisin dhe problemet e lidhur me të, i vetëdijshëm se si të mund të ndihmoj në zgjidhjen e problemeve, dhe i motivuar për veprim në drejtim të zgjidhjes së tyre". Pra tri fjalë kyqe janë: njohuritë, vetëdija dhe motivi për veprim. Pa qenë këto të fundit pjesë e procesit të formimit të një individi, nuk mund të flitet për një individ ekologjikisht të orientuar.
Historikisht, një numër i filozofëve, praktikuesve të edukimit dhe të menaxhimit të burimeve natyrore kanë kontribuar në origjinën e edukimit mjedisor. Edukimi mjedisor fillet e veta i ka tek filozof si Jean-Jacques Rousseau (1712-1778) që mendonte se “edukimi duhet të mbajë një fokus mbi mjedisin”, apo të edukatorëve si Louis Agassiz (1807-1873) i cili inkurajonte nxënësit “për të studiuar natyrën e jo librat”. Në vitin 1920, fillon epoka e zhvillimit të ekologjisë si shkencë e cila edhe rriti diapazonin e njohurive shkencore mbi biosferën dhe ndërveprimin e njeriut me mjedisin. Thomas Pritchard nga Nature Conservancy, ishte i pari që në një takim të IUCN në Paris (1948) përdor termin "edukimi mjedisor" dhe ky mendohet të jetë përdorimi i parë publik profesional i termit. 
Era moderne në edukimin mjedisor fillon në SHBA me miratimin e Ligjit mjedisor me 1969, e po këtë vit themelohet revista “Environmental education”. Në vitin 1970, me ligj themelohet Zyra e Edukimit mjedisor në kuadër të Departamentit amerikan të Shëndetit, Edukimit dhe Mirëqenies si dhe Këshilli Kombëtar për Edukimin mjedisor. Me 1972 në Konferencën e OKB për Zhvillimin dhe Mjedisin Njerëzor e mbajtur në Stokholm në rekomandimin 96 bën thirrje për “edukimin mjedisor si rrugë për të adresuar problemet mjedisore në mbarë globin”. Data 26 janar e kësaj konference shënohet prej atëherë edhe si Dita Ndërkombëtare e Edukimit Mjedisor, pra kur nevoja e edukimit mjedisor merr përmasa globale. Prej kësaj Konference shumica e qindra marrëveshjeve mjedisore ndërkombëtare (karta, konventa e protokole) e fusin edukimin në dispozitat e tyre.  Karta e Edukimit Mjedisor, e aprovuar nga UNESCO me 1975, thekson se “qëllimi i edukimit mjedisor është që të zhvillojë një botë ku popullsia është e vetëdijshme dhe e shqetësuar rreth mjedisit dhe problemeve shoqëruese, popullsi që i ka njohuritë, aftësitë, qëndrimet, motivimet, dhe angazhimin për të punuar individualisht dhe kolektivisht drejt zgjidhjes së problemeve aktuale dhe parandalimi atyre të reja”. Miratimi i Ligjit për Edukim Mjedisor në SHBA (1990) është edhe përpjekja më e rëndësishme që të ushqejë fushën e edukimit mjedisor duke e themeluar një Zyrë të Edukimit Mjedisor në US Environmental Protection Agency.

Dualizmat në trendet transformuese
Zakonisht kur pyes studentët se a preferojnë që në kurrikulat shkollore, edukimi mjedisor të zbatohet si një lëndë në vete apo si qasje ndërkurrikulare (përmes shumë lëndëve) mendimet kryesisht janë të ndara: disa për të parën e disa për të dytën. Dhe ky debat ekziston edhe në nivel global: shumë shtete edukimin mjedisor e kanë pjesë të kurrikulës si lëndë me vete, ndërsa shumë të tjera tashmë e kanë bërë pjesë të të gjitha lëndëve mësimore (qasja ndërkurrikulare). Pra trendi është në kalimin prej edukimit mjedisor si një lëndë formale, në shumicën e rasteve zgjedhore, drejt qasjes ndërkurrikulare ku do të jetë e integruar nëpër lëndë dhe fusha kurrikulare.
Trendi i dytë është lëvizja nga edukimi mjedisor drejt edukimit për zhvillim të qëndrueshëm. Pra nga edukimi mjedisor që sheh vendimet tona të koncentruara në mjedisin tonë aktual dhe pa shumë konsideratë për nevojën e shoqërisë për zhvillim socio-ekonomik. Një nga përkufizimet e edukimit për zhvillim të qëndrueshëm është se ai paraqet “metodologji ndërdisiplinore e të nxënit që mbulon aspektet e integruara sociale, ekonomike dhe mjedisore të kurrikulës formale dhe joformale”. Edukimi për zhvillim të qëndrueshëm u mundëson të gjithëve që të sjellin vendime të informuara për mjedisin, qëndrueshmërinë ekonomike dhe një shoqëri të drejtë për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme.
Trendi tjetër është ajo e edukimit mjedisor ndërmjet arsimit formal dhe atij joformal. A mund dhe a duhet të edukohet individi mbi mjedisin edhe pasi ta përfundoj arsimin formal. Sigurisht se po,  dhe se format, strategjitë dhe burimet e arsimit jo formal janë po aq të pasura, po aq efektive dhe diverse sa edhe në arsimin formal. 

Kosova dhe edukimi mjedisor
Situata e mjedisit në Kosovë sigurisht se përveç problemeve të mëdha të trashëguara mjedisore, mungesës së investimeve, fragjilitetit instucional e financiar tregon edhe për një mungesë të përfshirjes së edukimit mjedisor në sistemin arsimor. Kurrikula aktuale e Kosovës, si “kushtetuta arsimore” e Republikës, megjithatë ka hapur një horizont të mirë për plotësimin e vakumit për edukim mjedisor në sistemin arsimor. Fatmirësisht, termi edukimi për zhvillim të qëndrueshëm në Kurrikulë ka zënë hapësirë më të madhe se sa edukim mjedisor ku në dokumentin kurrikular dhe në revidimin e ardhshëm në fakt do të duhet të zëvendësohet tërësisht. 
Nevoja për edukim për zhvillim të qëndrueshëm figuron që nga qëllimet kryesore të Kurrikulës, e promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm si një nga parimet themeltare të saj. Kurrikula e bazuar në kompetenca synon të zhvillojë nxënës që janë kompetent “të kuptojnë plotësisht ndërlidhjen e fenomeneve ekonomike, politike dhe sociale në nivelin lokal dhe global si dhe që përmes edukimit për zhvllim të qëndrueshëm të jenë të përgatitur për t’u përballur me sfidat ekonomike, sociale dhe mjedisore”. Dhe çka është më e rëndësishmja, si rezultat final i përfundimit arsimit parauniversitar, nxënësit “do të jenë të aftë të mbrojnë mjedisin natyror dhe atë të krijuar si dhe të kontribuojnë për zhvillim të qëndrueshëm”. E shkruar qartë dhe saktë.
Për t’u zbatuar edukimi për zhvillim të qëndrueshëm në praktikën kurrikulare duhen përgatitur mësimdhënës që kanë kompetencat e duhura të përcaktuara tashmë nga UNECE e që katagorizohen në katë grupe: të nxënit për të ditur, të nxënit për të vepruar, të nxënit për të jetuar dhe të nxënit për të qenë. Për të zhvilluar këto kompetenca, në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, kursi i edukimit për zhvillim që qëndrueshëm është bërë pjesë integrale e të gjitha programeve të akredituara për përgatitjen e mësimdhënësve fillor dhe atyre lëndor, por edhe për edukatorët e fëmijërisë së hershme. Duke qenë pjesë e të gjitha profileve të mësimdhënësve, e lehtëson zbatimin e tij sipas qasjes ndërkurrikulare dhe mësimdhënies së integruar që e kërkon Kurrikula jonë. Ky kurs është aktualisht në shërbim mësimdhënësve të ardhshëm. Por, me këto kompetenca duhen përgatitur edhe mësimdhënësit në shërbim. Për t`iu ardhur në ndihmë mësimdhënës në shërbim, Instituti për Hulumtim dhe Zhvillim të Arsimit ka pëgatitur dhe akredituar një trajnim se si të integrohen çështjet e qëndrueshmërisë nëpër lëndë të ndryshme. Të dy këto zhvillime: kursi për student-mësimdhënës si dhe trajnimi për mësimdhënës në shërbim janë realizuar në bashkëpunim të frytshëm disavjeçar me Arizona State University, sigurisht përmes mbështetjes edhe nga ambasada e SHBA-së në Prishtinë. 
Disa materiale didaktike të përgatitura me përvoja ndërkombëtare, pas zhvillimeve kurrikulare në arsimin parauniversitar dhe universitar do të jenë shumë më lehtë të implementueshme. Këtu mendoj për produktet si “Paketa e Gjelbër” dhe “Paketa e Gjelbër Junior” që janë shpërndarë nëpër shkolla shumë vjet më parë e që duhet të jenë në dispozicion të mësimdhënësve si mjete multidimensionale didaktike të edukimit për zhvillim të qëndrueshëm. 
Mbi këto zhvillime pozitive kurrikulare, zhvillim kapacitetesh për mësimdhënësit para shërbimit dhe në shërbim, si dhe mjeteve pionere didaktike për edukim mjedisor dhe zhvillim të qëndrueshëm, duhet punuar më shumë që t`i shohim rezultatet në jetën e përditshme e që janë aq shumë të nevojshme në trendet në të cilat po jetojmë. E rezultati i parë është edukimi i vetvetes si individ, të tjerëve dhe shoqërisë kosovare për një qasje më ndryshe nga deri sot në vendin tonë të bukur e të dashur.

Dr. Zeqir Veselaj
Ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës


 

 


MË SHUME NGA    Analiza & Opinione