Si e ndryshoi Rusinë burgimi i Alexei Navalny-t
   Analiza & Opinione

Si e ndryshoi Rusinë burgimi i Alexei Navalny-t

Kirill Martynov

Një vit më parë, lideri i opozitës Alexei Navalny u rikthye në Rusi pas një tentative serioze për ekzekutimin e tij nëpërmjet një agjenti nervor, akt që i detyroi miqtë ta evakuonin në Gjermani për sigurinë dhe kurimin e tij.

Pasi e mori veten Navalny u rikthye në shtëpi, pavarësisht kërcënimeve të hapura të Kremlinit, se ai do të bënte mirë të kërkonte një strehë të sigurt në Evropë, dhe të braktiste aktivitetet e tij opozitare në Rusi.

Ndonëse mbështetësit e pritën si hero në aeroportin “Sheremetyevo” në Moskë, dhe një segment i konsiderueshëm i opinionit publik ishte në anën e tij, autoritetet e arrestuan sapo zbriti nga avioni me akuza të sajuara, dhe e çuan direkt në paraburgim.

Natyrisht, ne nuk e kuptuam menjëherë se çfarë kishte ndodhur. Ne mendonim se ishte arrestuar vetëm Navalny, kur në fakt, pas hekurave u mbyll e gjithë Rusia. Unë shkrova në atë kohë se vetëm ata që nuk kanë frikë nga burgu, mund të mbeten të lirë në shpirtin e tyre.

Shumica e njerëzve, përfshirë edhe mua, kanë me të drejtë frikë nga burgjet ruse, të cilat nuk janë një vend i sigurt për jetën. E megjithatë, guximi i pashembullt i Navalny-t e bën atë një njeri të lirë, një njeri që tani sheh nga qelia e tij një shoqëri ruse që është vetë-burgosur dhe vetë-nënshtruar.

Duke filluar nga 20 vjet më parë dhe deri vetëm një vit më parë, rusët e konsideronin si të natyrshme të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore. Ata nuk shihnin asgjë të pazakontë në kundërshtimin e regjimit në pushtet, duke mbetur njëherazi qytetarë dhe patriotë.

Megjithatë, gjatë 12 muajve që Navalny, deri dje njeri i lirë, ndodhet në burg, gjithçka ka ndryshuar. Tashmë, kushdo që shqetësohet për sigurinë e vet duhet t’i nënshtrohet plotësisht autoriteteve. Sigurisht, demonstrimi i besnikërisë suaj nga regjimit nuk garanton domosdoshmërisht sigurinë tuaj.

Por të paktën ju vendos në fund të listës së atyre që përndiqen, dhe ju blen pak kohë. Rusia e sotme, e frikësuar dhe e detyruar të heshtë, po mëson sërish “etikën” e vjetër staliniste të mbylljes së syve kur autoritetet vijnë të arrestojnë fqinjin tënd, gjithnjë nëse nuk dëshiron që të kesh të njëjtin fat me të.

Sot në fillim të vitit 2022, jo vetëm që është e pamundur të imagjinohet që rusët ta dalin në rrugë në një numër të madh, por edhe që dikush të guxojë të bëjë qoftë edhe një thirrje publike për protestë. Policia sekrete i ndjek të gjithë ata që shprehin pakënaqësinë më të vogël për atë që po ndodh në vend, dhe i cilëson si “ekstremistë dhe terroristë”.

Opozita politike është shtypur, ndërsa në skenë po shfaqet një kastë “politikanë të trashëguar” – njerëz që bëjnë deklarata zyrtare në emër të shoqërisë ruse, si për botën e jashtme ashtu edhe për konsum të brendshëm. Qytetarët i kanë dorëzuar pothuajse pa asnjë rezistencë të drejtat e tyre politike.

Në këmbim, ata marrin dënime me burg. Disa dërgohen në burgje të sigurisë së zakonshme, ndërsa të tjerët në burgjet e sigurisë së lartë. Ndërsa disa që janë “me fat”, mbyllen në koloni penale. Zbehja e ndërgjegjes politike, çon në mënyrë të pashmangshme në margjinalizimin e mediave të pavarura.

Këto të fundit po “vdesin” dalëngadalë si pasojë e censurës së ashpër dhe ligjeve mbi “agjentët e të huajve”. Një ndër momentet më të vështira ndodhi vitin e kaluar, kur autoritetet e regjimit mbyllën Fondacionin Memorial, që prej 3 dekadash ishte përpjekur t’i mësonte pasardhësve të terrorit stalinist, emrat e xhelatëve të paraardhësve të tyre.

Kremlini vështirë se denjon të reagojë ndaj kritikave ndërkombëtare mbi Rusinë. Në sytë e zyrtarëve rusë, ajo që po ndodh është thjesht një variacion i saj që është një normë, kërkimi i një “rruge të veçantë” për një vend të rrethuar nga një tufë armiqsh imagjinarë.

Ky “normalitet i ri” u jep autoriteteve fleksibilitet për t’u përshtatur me rrethanat në ndryshim. Tani ato po përpiqen të na bindin se është krejtësisht normale të arrestohen dhe futen njerëz në burg, vetëm sepse ata kanë kritikuar qeverinë.

Nesër – ashtu siç ndodhi në Kazakistan – ata ndoshta do të thonë se mbyllja e internetit është mënyra e vetme për të siguruar një të ardhme më të mirë për rusët. Natyrisht, është e pamundur të drejtosh njëlloj si të ishte një koloni penale, një vend me madhësinë e Rusisë.

Si shembull kujtoni pak fushatën e qeverisë për vaksinimin kundër Covid-19. Ajo dështoi sepse njerëzit e kanë humbur prej kohësh besimin tek një sistem, tek i cili nuk kanë asnjë përfaqësim politik.

Ose shihni eksodin në shkallë të gjerë të të rinjve rusë, të cilët shohin jashtë mundësi dhe liri më të mëdha jashtë se sa në vendin e tyre. Por të jetuarit vetëm me ata që mbeten – qytetarë aq të lodhur nga liritë, saqë preferojnë të jetojnë si të burgosur virtualë, sesa të largohen nga Rusia – është një provë shumë e madhe për autoritetet, të cilat e kanë shumë më të lehtë që t’i rrethojnë me tela me gjemba edhe këta qytetarë besnikë. /abcnews.al