Rusia synon “Republika Srpska” në Ukrainë
   Analiza & Opinione

Rusia synon “Republika Srpska” në Ukrainë

Shkruan: Rilind Gërvalla

Moska zyrtare ka grumbulluar në afërsi të kufirit me Ukrainën rreth 100 mijë trupa ushtarake dhe kjo situatë frike dhe kërcënimi vërehet jo vetëm tek ukrainasit, por edhe në tërë Evropën.

E gjithë vëmendja mediatike është përqendruar në konfliktin Rusi-Ukrainë dhe nuk po mungojnë as deklarimet e zyrtarëve evropianë, atyre të Kijevit, të Moskës, por edhe atyre evropianë dhe amerikan. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken kërkoi që të gjendet një rrugë e re diplomatike për të dalë nga kriza, e zyrtarët evropianë janë duke dërguar ndihma mjekësore dhe ende nuk kanë platformë të përbashkët përballë kërcënimit rus.

Ky mosdakordim mes shteteve të BE-së vjen edhe si pasojë e të kaluarës së hidhur me Rusinë duke preferuar më shumë një përgjigje transatlantike, sesa një propozim të veçantë nga BE.

Përderisa tensionet janë rritur, SHBA rriti prezencën ushtarake në Evropë me mbi 8500 ushtarë të cilët janë në gatishmëri të lartë. Edhe NATO shtoi trupat në Estoni, Lituani dhe Letoni. Disa shtete evropiane si Spanja, Belgjika, Holanda, e sidomos Polonia janë të interesuara për mbështetje ushtarake në Ukrainë, ndërsa Franca është për bisedimet BE- Rusi, ku sipas saj vetëm ashtu ndalohet përshkallëzimi i krizës. Bisedimet filluan mes zyrtarëve ukrainas dhe atyre rusë, por pa sukses. Pritet që javës së ardhshme të takohen në Berlin dy palët, e në anën tjetër edhe Turqia është e interesuar të ndërmjetësojë duke bërë edhe ftesë për presidentin rus Vladimir Putin që ta vizitojë Turqinë.

Por, Moska duke pretenduar se veprimet e saja janë të nevojshme për të siguruar interesat jetike të sigurisë, fajëson NATO-n për minimin e sigurisë në rajon. Ministri i jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, duket optimist duke thënë se trupat ruse mund ta sulmojnë Ukrainën, siç ka ndodhur në vitin 2014 kur u anekua Krimea, por aktualisht nuk mund ta okupojnë. Ukraina si ish republikë sovjetike me mbi 44 milionë banorë dhe e cila në vitin 1991 vendosi për shkëputje dhe pavarësi, ka marrëdhënie të ngushta me Perëndimin dhe pretendon antëtarësimin në NATO, gjë të cilën Rusia e kundërshton hapur, duke kërkuar nga SHBA dhe NATO që të mos zgjerohen tutje dhe afër kufijve rus.

Forcat proruse në Ukrainë ishin mjaft aktive dhe tensioni u përshkallëzua pas vendimit të presidentit të Ukrainës Viktor Janukoviç, për ta refuzuar një marrëveshje asociimi me Bashkimin Evropian, e cila çoi në protesta masive ku detyruan Jonukovicin të largohej në vitin 2014. Menjëherë pas largimit të Jonukovicit nga pushteti, Krimea u aneksua, edhe pse Rusia e mohonte përfshirjen duke thënë se në gadishullin e Krimesë ka vetëm vullnetarë dhe jo trupa ruse. Një muaj më vonë, separatistët pro-rusë filluan të pushtonin territorin nga rajonet Donetsk dhe Luhansk në lindje të Ukrainës, ku mbi 90% e popullsise jane ruse, 14,000 persona u vranë në luftimet që shkatërruan qendrën industriale të Donbasit.

Një marrëveshe paqeje e ndërmjetësuar nga Franca dhe Gjermania u arrit në vitin 2015, por një zgjidhje politike ka ngecur dhe ka pasur konflikte të shpeshta frontale. Derisa shtetet e Evropës nuk janë të bashkuara kundër kërcënimeve të Rusisë dhe më shumë përdorin retorikën diplomatike, qytetarët ukrainas nën frikën e përsëritjes së Krimesë, sipas medieve, po iu bashkohen Ushtrisë ukrainase.

Rusia ka rreth 1 milion trupa aktivë ushtarake rreth 2 milionë trupa rezervë, përdersia Ukraina ka vetëm 200 mijë trupa aktivë e rreth 900 mijë rezervistë. Të dyja shtetet tregojnë se janë të gatshme për luftë, por e cila mund të ketë pasoja në të gjithë globin. Kriza e rënduar ekonomike, ngritja e çmimit të gazit natyror që vjen nga Rusia në Evropë kanë krijuar tashmë tensione në tregun botëror të energjisë.

Pra, nëse tensionohet situata në Ukrainë, Evropa do jetë e cenuar direkt ekonomikisht, sepse Rusia furnizon rreth një të tretën e gazit natyror të Evropës dhe prodhimi i brendshëm evropian si ai në Holandë, Gjermani dhe Britani tashmë ka rënë. Një nga skenarët e mundshëm që parashihet, është edhe hyrja e “vullnetarëve” rusë, njësoj si në Krime, për të kërkuar ndarje nga Ukraina ose autonomi brenda Ukraines.

Rusia nuk ka interes ta ndajë Ukrainën, ajo më shumë dëshiron që të ketë autonomi brenda saj, si në Bosnje me Republiken Serbe. Me atë lloj autonomie Rusia do ta bllokonte cdo perpjekje të Ukrainës për të shkuar drejt perëndimit apo NATO-s. Jemi dëshmitarë të shumë analizave, statistikave për krizën ekonomike dhe frikës nga lufta e mundshme Rusi - Ukrainë, por a nuk vjen vetvetiu pyetja: A ka Pandemi në Ukrainë e Rusi?


MË SHUME NGA    Analiza & Opinione