Kurti: E kemi obligim ta ruajmë Kullën e Jasharëve
Në 24-vjetorin e sulmit të dytë nga forcat serbe ndaj familjes Jashari, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku kanë bërë homazhe mëngjesin e së shtunës tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Nga aty, Kurti tha se në 24-vjetorin e sulmit të dytë, shkuan që të bëjnë homazhe tek varret e tyre, por në të njëjtën kohë të shohin edhe ndërhyrjet emergjente në Kullën e Jasharajve. Me këtë rast ai theksoi se është obligim institucional, shoqëror e kombëtar që Kullat e Jasharajve të mirëmbahen meqë janë margaritar i historisë së lavdishme dhe njëkohësisht të historisë së dhimbshme.
“Sot me rastin e 24 vjetorit të sulmit mbi Jasharajt në 22 janarin e 1998, erdhëm që të bëjmë homazhe tek varret e tyre dhe njëkohësisht më pas të shikojmë se si janë duke u bërë ndërhyrjet emergjente në Kullën e Jasharajve, si janë duke u bërë ato shtrëngimet fillestare në mënyrë që kjo ndërtesë të mos degradohet dhe të mbrohet. Sot janë bërë 24 vjet prej kur forcat e shumta policore e ushtarake të Serbisë ia mësynë gjatë luftës çlirimtare për herë të parë kullës së Jasharajve. Para se të ndodhte Epopeja e UÇK-së ka pasur sulme mbi këtë kullë, madje sulmi i parë është qysh në vitin 1991 para se më shumë se 30 vjetëve dhe ne e kemi obligim institucional, kombëtar e shoqëror që këtë objekt të historisë së veçantë të Kosovës e kombit shqiptar në përgjithësi ta mirëmbajmë sepse është një margaritar i historisë sonë të lavdishme dhe njëkohësisht edhe të dhimbshme”, tha Kurti.























