Asambleja Ballkanike e Volejbollit/Ja vendimet që u morën në të mirë të FVK
Sport

Asambleja Ballkanike e Volejbollit/Ja vendimet që u morën në të mirë të FVK

Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK) kthehet me lajme të mira nga Asambleja Ballkanike e Volejbollit, e cila u zhvillua sot në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, respektivisht në Shkup.

Në Asamblenë e 23-të Ballkanike të Volejbollit nga FVK morën pjesë, presidenti Bahri Gjinovci, nënkryetarja Mimoza Shkodra dhe sekretari i përgjithshëm Valon Nikqi, përcjell KosovaPress.

Në këtë mbledhje u vendos për organizatorët, datat dhe aktivitetet e vitit 2022, ku Kosova arriti të sigurojë të drejtën për organizimin e Kampionatit Ballkanik U20 për meshkujt, organizimin e garës 'Beach Volley' U22 për femrat dhe 'Beach Volley' U22 për meshkujt.

Për sigurimin e të drejtës së organizimit të këtyre garave pati konkurrencë të madhe ndërshtetërore por FVK eventualisht arriti të bind nikoqirët e kësaj asambleje se Kosova është vendi më i denjë për zhvillimin e aktiviteteve të lartë-përmendura.

Datat kur do të zhvillohen këto gara do të caktohen në vijim, por që pritet të zënë vend gjatë korrikut ose gushtit të vitit 2022.

Veç kësaj, Kosova do të jetë pjesëmarrëse edhe në aktivitetet e volejbollit dhe 'Beach Volley' që organizohen nga federatat tjera.

Vlen të ceket se, në mesin e përfaqësuesve të federatave ballkanike, në këtë asamble morën pjesë edhe presidenti i Konfederatës Evropiane të Volejbollit (CEV) Aleksandar Boricic, zëvendës-presidenti Renato Arena dhe drejtori për zhvillim Ozkan Mutlugil.