Vështirë organizimi i mësimit tërëditor, shkollat nuk kanë infrastrukturë
Ardiana Hajzeri
Edhe pse vite më parë ishte promovuar se do të fillohet me mësimin tërë ditor në shkolla, ende nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim. Drejtues të Ministrisë së Arsimit kanë bërë të ditur se për shkak të mungesës së infrastrukturës në shkolla, tani për tani është e pamundur jetësimi i këtij projekti. Edhe njohës të çështjeve të arsimit janë skeptikë për zbatimin e tij.
Mësimi tërë ditor i cili ka qenë synim i institucioneve arsimore për disa vite me radhë, ende nuk ka nisur dhe nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim. Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se mungesa e infrastrukturës e bënë të pamundur implementimin e këtij projekti dhe se ministria nuk e ka prioritet në ketë mandat. Por kjo duhet të diskutohet gjatë viteve në vijim tha, Pupovci.
“ Në kushtet tona do të jetë vështirë organizimi i mësimit tërëditor për arsye se shkollat nuk e kanë infrastrukturën e duhur. Në shkollat që punojnë me dy apo tri ndërrime as që bëhet fjalë për mësimin tërëditor. Por edhe për shkollat të cilat punojnë me një ndërrim kjo do të jetë e vështirë, për arsye se nuk janë të pajisura me kuzhina të cilat janë të domosdoshme për realizimin e mësimit tërëditor. Dhe mund të them që kjo nuk do të jetë njëra nga prioritet e ministrisë”, tha Pupovci.
Edhe njohësit e çështjeve të arsimit shprehen se nuk është koha për realizimin e këtij projekti. Rinor Qehaja nga Instituti “Edguar”, i tha Radio Kosovës se përderisa kemi një kurrikule të re në zbatim, dhe në mungesë të infrastrukturës, është vështirë të besohet një zbatim i mirëfilltë i mësimit gjithë ditor.
“Në kontekstin aktual me një kornizë të re kurrikulare në zbatim, dhe në mungesë të infrastrukturës, është vështirë të besohet një zbatim i mirëfilltë i mësimit gjithë ditor, lëre më një ndikim në rritje të cilësisë në arsim. Kjo tashmë është dëshmuar në pilotimet e ndodhura të këtij procesi në disa komuna”, tha Qehaja.
Për mësimin tërë ditor ishte zbatuar një pilot-projekt në disa shkolla të Prishtinës, por pa kaluar ende testi, ishte konstatuar se nuk ka kushte teknike për aplikimin e tij. Pilotimi i mësimit gjithë ditor, është realizuar në shkollat: “Afrim Gashi”; “Emin Duraku”; “Faik Konica”; “Ganimete Tërbeshi”; Shkolla “Model” dhe “Pjetër Bogdani”.























