Njohësit: Liberalizimi është i lidhur ngushtë edhe me dialogun me Serbinë
Kosovare Gashi
Edhe këtë vit qytetarët e Kosovës e kanë filluar me shpresën se këtë vit do të marrin liberalizimin e vizave. Njohësit e rrethanave politike, vlerësojnë se është një mundësi e mirë që më në fund kosovarëve t’u mundësohet lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Evropian pasi nga 1 janar Franca është kryesuese e radhës së BE. Por ata vlerësojnë se ky proces është i lidhur ngushtë edhe me dialogun me Serbinë.
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është i lidhur ngushtë me çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave politike në vend. Demush Shasha, nga Instituti “Epik”, ka thënë se pa progres në dialog, është e vështirë të imagjinohet që do të ketë progres në çështjen e liberalizimit të vizave.
“Përkundër që dialogu nuk është kusht i liberalizimit të vizave, jo zyrtarisht këto dy procese janë ndërlidhur dhe pa progres në dialog është vështirë e imagjinueshme që do të këtë progres në liberalizimin e vizave”, ka thënë Shasha për Radio Kosovën.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka vlerësuar se dialogu ka ndikim në të gjitha sferat e jetës në Kosovë, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave. Ndërkaq, vlerëson se është mundësi e mirë që në pjesën e parë të vitit 2022 Kosova të marrë liberalizimin e vizave, pasi Franca udhëheq me Këshillin e Bashkimit Evropian.
“Mendoj se është shans i mirë, sepse me Këshillin e BE-së nga një janari udhëheqë Franca. Mendoj se gjasat janë pozitive që të marrim liberalizimin e vizave. Në të kundërtën mendoj se do të vazhdojë kjo bllokadë nga Bashkimi Evropian, e si viktimë gjithsesi do të vazhdojnë të mbeten qytetarët e Kosovës”, vlerëson Hoti.
Edhe pse Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, një prej arsyeve kryesore pse ka hezitim te disa shtete të BE-së për këtë çështje është se disa prej tyre e konsiderojnë si “përvojë e keqe liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Gjeorgjinë”.























