LSI udhëzon ngritjen e shtabit elektoral për zgjedhjet e 6 marsit
Lëvizja Socialiste për Integrim udhëzon ngritjen e shtabit elektoral në 6 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore.
Udhëzimi i Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Endrit Braimllari, i është drejtuar strukturave të partisë në bashkitë Durrës, Shkodër, Dibër, Lushnjë, Vorë, Rrogozhinë.
Në udhëzimin e LSI-së thuhet se, në momentin kur nuk është zyrtarizuar ende asnjë kandidaturë nga forcat e tjera politike, LSI ka nisur punën për sa i përket rolit të saj në to.
Sipas ligjit, LSI ka një rol të rëndësishëm në administrimin zgjedhor, përmes përfaqësuesve të saj në KZAZ, në qendrat e votimit, si dhe në tavolinat e numërimit të votave.
“Për rritjen e efikasitetit elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim, udhëzoj ngritjen e shtabit elektoral në këto 6 bashki”, parashikon udhëzimi i shpërndarë në struktura.
Shtabi Elektoral i LSI do të drejtohet nga Koordinatori Politik i Qarkut dhe do të përbëhet nga: Koordinatori Politik i Qarkut, Kryesia e LSI-së në bashki, kryesia e forumit të gruas dhe kryesia e forumit rinor, delegatët e Konventës Kombëtare, sipas bashkive respektive.
























