Çeku: Kriza Rusi-Ukrainë-NATO vjen duke u rritur
Në emisionin Aktual, në RTK, mysafir ishte gjenerallejtnant, Agim Çeku, ish-kryeministër i Kosovës, i cili foli për situatën e tanishme në Ukrainë dhe më gjerë.
Ai,mes tjerash, theksoi se tensionet mes Ukrainës e Rusisë po rriten.
“Kjo na bën që të mos e përjashtojmë edhe luftën si opsion i mundshëm, por unë mendoj se kjo është një demosntrim i forcës nga ana ruse për shtrim të ndikimit të saj në rajon, apo më gjerë”, deklaroi ai.
Më tej ai shtoi se sitauta tani është tejet e ndërlikuar dhe asnjëra palë nuk mund të tërhiqet si humbëse, ndërkohë që diplomacia botërore është duke kërkuar një opsion “win-win”, si një strategji e mundshme për dalje nga kriza.
“Putin ka dy pika strategjike e politike, që të bëjë presion politik, që të provokojë një takim me presidentitn Biden, gjatë mandatit të tij, që të përfitojë garanca me shkrim nga NATO, që nuk do të ketë shtrirje në lindje, në ish- vendet sovjetike, si në Ukrainë, Gjeorgji, por edhe ne Bjellorusi, ku populli atje është i vendosur që të bashkohet me botën perëndimore, por që Rusia po pengon një gjë të tillë, duke provokuar situatë konfliktuoze atje, prandaj ka ndodhur aneksimi i Krimesë dhe vendeve tjera”, sqaroi mes tjerash Çeku.
Ai më tej shtroi dilemën si një mundësi të ndonjë operacion ushtarak dhe jo deri te pushtimi i tërësishëm i Ukrainës, mbase edhe për një përpjekje të Putinit për të instaluar pushtetin sipas apetiteve të tij.
Ukraina e motivuar për luftë mbrojtëse
Gjeneral Çeku foli edhe për mundësinë e eskalimit të situatës, për pikat strategjike prej nga mund të nisin sulmet ndaj Ukrainës
”Vendosja e trupave në kufi me Ukrainën, është një perpjekje për invadim. Drejtimi për një hap të tillë më i mundshëm është ai nga Bjellorusia, ngase atje afër është zona e Cernobilit, që është 1700 km e pabanuar dhe është e përshtatshme për sulm drejt Ukrainës”, shtoi Çeku.
Veç kësaj, gjeneral Çeku foli edhe për përmasat e motivet mbrojtës të një vendi, populli.
”Edhe Ukraina është e fortë, ka mbi 40 mil. banorë, ka ushtri të fortë, si dhe janë të motivuar për luftë mbrojtëse”, sqaroi ai.
Reagimi i NATO-s
Lidhur me sitatën që po mbretëron tani në Ukrainë, gjen. Çeku foli edhe për NATO-n, rolin e saj, për përfshirjen e saj në atë vend.
”Reagimi NATO-s ia ka bërë të qartë Rusisë se ajo do të ketë pasoja dhe, po ashtu, ka bërë të qartë se secili vend është i mirëseardhur në NATO”, shtoi gjen. Çeku, duke shtuar se as Rusia nuk do ta ketë të lehtë këtë ballafaqim.
Gjermania është treguar paksa e kujdesshme
Ndërkaq lidhur me qëndrmin gjerman karshi situatës në Ukrainë, gjen. Çeku shprehu bindjen se ajo nuk do të tërhiqet nga Aleanca.
”Gjermania është treguar paksa e kujdesshme, por nuk do ta lë vetëm NATO-n. Ajo do të jetë në krah të NATO-s”, pohoi ai.
Ballkani mund të zhvendoset në një rend të dytë
Se çfarë ndikimi do të ketë eskalimi i situates në Ukrainë për Ballkanin Perëndimor gjen. Çeku theksoi se në një situate të tillë, në rast të eskalimit të situates, Ballkani do të zhvendoset në një rend të dytë
“Ballkani do të zhvendoset në një rend të dytë, sepse e gjithë vëmendja do të përqendrohet atje dhe këtu mund të eskalohet situata".
Dhe në një situate të tillë, gjen. Çeku bëri thirrje institucioneve relevante që të jenë të kujdesshëm, të përgatitur për çfarëdo situate.
“Ne duhet të jemi të gatshëm, në rast të eskalimit të situatës. Duhet të jemi të përgatitrur për çdo skenar të mundshëm, veçmas të sigurisë”, theksoi gjen. Çeku/RTKLive























