Shqipëria pjesë e Konventës për eliminimin e ndotjes detare
BKT
Shqipëri

Shqipëria pjesë e Konventës për eliminimin e ndotjes detare

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, diskutoi sot projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën ndërkombëtare për kontrollin e dëmit nga sistemet për mbrojtjen antivegjetative në anije, (Anti-Fouling) 2001”.

I pranishëm në mbledhjen e këtij komisioni zv.ministri i Brendshëm, Ardi Veliu tha se, “sistemet Anti-Fouling janë materiale që shërbejnë për lyerjen e fundit të anijeve, me qëllim parandalimin e ngjitjes së gjallesave bimore, si alga apo molusqe që ndikojnë në uljen e shpejtësisë së anijeve, rritjen e konsumit të karburantit dhe ndotjen e ajrit”.

Sipas tij, më përpara anijet kanë përdorur lëndë helmuese për shmangur këtë problem, që përveç dëmtimit të algave dëmtonin edhe mjedisin ujor, duke ndikuar negativisht në zhvillimin e biodiversitetit ujor.

Veliu theksoi se, “Konventa ndalon përdorimin e bojërave të dëmshme të përdorura në anije dhe vendos një mekanizëm për të parandaluar përdorimin e mundshëm të substancave të tjera të dëmshme në të ardhmen në sistemet antindotje”.

Sipas kushteve të Konventës AFS, Palëve në Konventë u kërkohet të ndalojnë dhe/ose të kufizojnë përdorimin e sistemeve të dëmshme anti-ndotje në anijet që mbajnë flamurin e tyre, si dhe anijet që nuk kanë të drejtë të mbajnë flamurin e tyre por që veprojnë nën autoritetin e tyre dhe të gjitha anijet që hyjnë në një port, kantier detar ose terminal në det të një Pale.

“Konventa përfshin një klauzolë, që thotë se një anije do të ketë të drejtë për
kompensim nëse ndalohet ose vonohet padrejtësisht ndërsa i nënshtrohet
inspektimit për shkelje të mundshme të Konventës. Gjithashtu Konventa parashikon krijimin e një “grupi teknik”, për të përfshirë njerëz me ekspertizë përkatëse, për të shqyrtuar propozimet për substancat e tjera të përdorura në sistemet kundër ndotjes të ndaluara ose të kufizuara”, tha Veliu.

Projektligji është në përputhje me programin e qeverisë, i cili në Kapitullin
“Integrimi në Bashkimin Evropian”, përcakton se “Zbatimi me korrektësi i
Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), përmbushja e pjesës së mbetur
nga 12 prioritetet e Planit të Veprimit, janë elemente kryesorë për cilësinë dhe
shpejtësinë e procesit të aderimit të Shqipërisë në BE”.

Miratimi i këtij projektligji ka për qëllim të reduktojë ose eliminojë efektet
negative në mjedisin detar dhe shëndetin e njeriut të shkaktuara nga sistemet e
mbrojtjes antivegjetative për anijet (anti-fouling).

Gjatë fjalës së tij, Veliu theksoi se, Konventa vendos një mekanizëm për të parandaluar përdorimin e mundshëm të substancave të tjera të dëmshme në të ardhmen në sistemet antindotje. /atsh


MË SHUME NGA Shqipëri