Sistemi për vlerësimin e mësimdhënësve n`Kosovë, pritet të rishikohet
Lajme

Sistemi për vlerësimin e mësimdhënësve n`Kosovë, pritet të rishikohet

Albana Bajrami, Radio Kosova

Sistemi për vlerësimin e mësimdhënësve në Kosovë, pritet të rishikohet, sepse është menduar se ky vlerësim, duhet të bëhet përmes monitorimit të mësimdhënësit, dhe jo përmes testimit.

Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën, zëvendësministri i arsimit, Dukagjin Pupovci. Aktualisht ky vlerësim është i lidhur me procesin e licencimit të mësimdhënësve dhe realizohet bazuar në legjislacionin në fuqi. 

Procesi i vlerësimit të mësimdhënësve në Kosovë, aktualisht nuk është duke vazhduar, për shkak të pandemisë.

Ndërkohë, zëvendësministri i arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë për Radio Kosovën se sistemi aktual për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve, i cili bazohet në një kombinim vlerësimi nga ana e drejtorit të shkollës dhe inspektoratit, është sistem mjaft i ndërlikuar.

Ai bëri të ditur se Ministria e Arsimit e ka në programin qeverisës rishikimin e këtij sistemi. 

“Nuk e kemi një formulë të gatshme se si do të duket ky sistem, por mendohet që vlerësimi i performacës duhet të bëhet përmes monitorimit të mësimdhënësit dhe jo përmes testimit, qysh shpesh po përflitet në opinion. Ndërsa, Ligji për profesionet e rregulluara parasheh që të gjithë mësimdhënësit e rinj, të cilët ende nuk kanë hyrë në profesion, duhet t’i nënshtrohen një provimi shtetëror. Besoj se gjatë vitit të ardhshëm do të bëhen përgatitjet, por kjo nuk vlen për ata që kanë marrë licenca. Ky është ai hapi i parë i verifikimit të tyre, e pastaj vlerësimi i performancës duhet të bëhet në intervale të rregullta kohore.”, tha ai.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, thotë se vlerësimi i performances së mësimdhënësve është i përcaktuar ligjërisht, dhe ky vlerësim nuk parasheh testimin, sikurse që testimi nuk është prezantuar as si objektivë qeveritare.


“Testimi paraqet një instrument të kufizuar që edhe po të prezantohej nuk do të mundë të përcaktonte me saktësi përgatitjen profesionale të mësimdhënësve. Mësimdhënia përbëhet nga shumë komponentë, vlerësimi i të cilës kërkon përkushtim dhe kapacitet profesional. Përmirësimi i cilësisë së arsimit është subjekt i rritjes së llogaridhënies, e kjo përfshin edhe një vlerësim meritor të performancës së mësimdhënësve. Si pikënisje nevojitet të rishikohet legjislacioni dhe kapacitetet për zbatim të vlerësimit, për të garantuar një proces të mirëfilltë dhe profesional, që do të inkurajonte dhe shpërblente mësimdhënësit e mirë, por edhe do të ofronte mundësi për përmirësim për këdo të identifikuar me ngecje në performance.”, tha ai.

Ndërkohë, drejtorja e Shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë, Mimoza Veselaj, tha për Radio Kosovën se procesi i vlerësimit është ndërprerë për shkak të pandemisë, ndërsa tregoi se kanë qenë në proces 13 mësimdhënës.

Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve në Kosovë, ka filluar në tetor të vitit 2018, derisa deri në vitin 2020, i janë nënshtruar vlerësimit mbi 740 mësimdhënës.