PD: Shqipëria, me pagat më të ulëta në Europë
BKT
Shqipëri

PD: Shqipëria, me pagat më të ulëta në Europë

Deputetja e PD-së, Ilda Dhori deklaroi sot se Shqipëria është vendi me pagat më të ulëta në Europë.

Në një deklaratë për mediet, Dhori u shpreh se të dhënat e fundit të publikuara nga Zyra e Statistikave të Bashkimit Evropian tregojnë se Shqipëria vijon të mbetet vendi me pagën minimale më të ulët në Europë.

“Kjo statistikë e Eurostatit, që konfirmon ngecjen në vendnumëro të vendit tonë, është ilustrimi më kuptimplotë i pasojave që ka korrupsioni, si armiku i mirëqënies së shqiptarëve, për të cilin pak ditë më parë, raporti i prestigjozes Transparency International, shënonte një tjetër përkeqësim për Shqipërinë. Korrupsioni i përhapur në çdo nivel të qeverisjes së Edi Ramës, është arsyeja pse Shqipëria ka paga më të ulëta në Europë dhe shkallën e varfërisë më të lartë në Rajon. Korrupsioni që gërryen çdo ditë institucionet, demokracinë, liritë dhe të drejtat, shkatërron tregun e lirë, është armiku numër një i familjeve shqiptare, i sipërmarrësve të ndershëm, i pensionistëve të harruar, i të rinjve dhe të rejave që largohen nga Shqipëria. E për sa kohë vendi ynë do të jetë i pari në Europë për nivelin e korrupsionit, Shqipëria do të mbetet në vendnumëro dhe shqiptarët do të vijojnë të jenë të fundit në Europë për nivelin e mirëqenies së tyre”, tha ajo.

Dhori shtoi se  “për këtë arsye Partia Demokratike e konsideron luftën ndaj korrupsionit interes kombëtar, parakusht për të çliruar vendin dhe institucionet nga paligjshmëria dhe pandershmëria që po e varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët”./atsh


MË SHUME NGA Shqipëri