Balla: Zgjatja e mandatit të organeve të Vetingut, jo çështje politike
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në një prononcim për mediet, se zgjatja e mandatit të organeve të Vetingut nuk është çështje e karakterit politik.
Ndërkohë, Balla tha se “PS është në diskutim me grupin parlamentar të PD-së zyrtare, për të gjetur formulimet e sakta për sa i përket objektit të mandatit të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore”.
“Formulimi i objektit të punës është shumë i rëndësishëm sepse ai përcakton qartë vijueshmërinë dhe nuk dua të ketë ngecje përgjatë ecjesh të këtij komisioni. Ne duam të ruajmë të njëjtin përcaktim, sikurse e kemi pasur në komisionet e kaluara të reformës, që ka të bëjnë me atë që është detyrimi i Shqipërisë, hartimi dhe më pas transpozimi në ligjin zgjedhor të të gjitha rekomandimeve që vijnë nga raportet e OSBE/ODIHR-it”, tha Balla.
Sipas tij, “ky është një detyrim që Shqipëria ka edhe në kuadër të procesit të integrimit europian”.
“Mendoj se edhe opozita duhet të kuptoj se sa më shpejt të filloj puna, aq më mirë është për të gjitha palët. Ndërkohë për sa i përket detyrimit të Kuvendit për të zgjatur mandatin e organeve të Vetingut, kjo nuk është çështje e karakterit politik. Për të gjitha çështjet e tjera do të ketë diskutime, konsultime, dialog në funksion të gjetjes së formulimit më të mirë dhe më të saktë për sa i përket objektit të punës së komisionit të reformës zgjedhore apo çështje të tjera”, tha Balla.
I pyetur mbi kandidatët e përzgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së për zgjedhjet e pjesshme vendore, Balla tha se “non grata mbetet non grata dhe produktet që vijnë nga non grata-t, janë non grata”. /atsh























