Gjiknuri:Forcimi i sistemit gjyqësor, një garanci më shumë
BKT
Shqipëri

Gjiknuri:Forcimi i sistemit gjyqësor, një garanci më shumë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri u shpreh sot se forcimi i sistemit gjyqësor dhe Reforma në Drejtësi janë një garanci më shumë edhe për hetimin e politikanëve.

I ftuar në një studio televizive, Gjiknuri iu përgjigj pyetjes mbi domosdoshmërinë ose jo të Vetingut në politikë.

Sipas tij, “politika dhe lufta për pushtet gjithmonë ka akuza, kjo ndodh edhe në politikën botërore, por këto akuza hetohen nga drejtësia”.

“Ashtu si në rastin e inceneratorëve dhe Unazës së Madhe, ku akuzat u hetuan. Kështu zgjidhet, kështu del nëse ka apo jo lidhje politika”, tha ai.

Sipas Gjiknurit, “forcimi i pushtetit gjyqësor dhe Reforma në Drejtësi janë një garanci më shumë dhe këto po japin rezultat”.

“Këto janë masat shtesë që ka marrë politika për të gjetur ku fillon akuza dhe ku e vërteta. Ndërsa metoda të tjera që politika do të bëjë Vetingun vetëm bazuar mbi akuza politike, kjo do të ishte fundi i sistemit të drejtësisë”, tha ai.

Ndërkohë, Gjiknuri u shpreh se për gjyqtarët dhe prokurorët Vetingu vlen pasi janë profesion i përjetshëm.

“Politikani jep llogari çdo 4 vjet kur votohet. Po ashtu ka institucione për deklarimin e konfliktit të interesit dhe pasurisë, ka ligj dekriminalizmi. Politikani nga pikëpamja e vendimmarrjes është shumë transparent. Nëse ka akuza për të, ka organe drejtësie. Çdo gjë tjetër me pretendime për Veting politik shërben vetëm për të ngritur kauza para mbështetësve”, tha Gjiknuri. /atsh


MË SHUME NGA Shqipëri