Dodik reagon ndaj Escobar e Lajcak: Pse të pranohet Kosova e jo Srpska?
Anëtari serb i presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik, që rishtas u gjet në listë të zezë të SHBA-ve për shkak të ndikimit destabilizues në Bosnje e Hercegovinë vazhdoi ankesat e tij për gjoja standarde të dyfishta të bashkësisë ndërkombëtare.
Ai reagoi ndaj deklaratës së emisarit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajcak se askush nuk e do një Republika Srpska në Kosovë.
Sipas Dodik që konsideron se shembulli si është zgjedhur çështja e kushtetutshmërisë së popujve në Bosnje e Hercegovinë, mes tjerash edhe përmes ekzistencës së Republika Srpska’s, qenka një modeel i mirë, dhe nuk e kupton pse dikush do ta quante atë ide si të pakuptimtë sa i përket, siç e quan, Kosovës e Metohisë.
Ai komentoi deklaratën e të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Europian, Miroslav Lajcak, që tha të hënën në Prishtinë se “askush i arsyeshëm nuk dëshiron një Republika Srpska në Kosovë”.
Dodik gjoja i habitur dhe duke u munduar të barazojë vazhdoi ankesat e zakonshme të zyrtarëve serbë që qahen për standarde të dyfishta në disa qindra kilometra largësi.
“Do të mund ta shtroja në të kundërtën dhe të them se përse dikush i arsyeshëm do të pranonte pavarësinë e Kosovës, e nuk do të pranonte të njëjtën për Republika Srpska” ka thënë Dodik për Srna, përcjell Gazeta Metro.
Të dy emisarët për dialogun Kosovë-Serbi, amerikani Gabriel Escobar dhe europiani Mirsolav Lajcak, po qëndrojnë në Kosovë për të ripërtërirë dialogun e ngecur që nga korriku i 2021’s dhe kanë shprehur njëzëri qëndrimin e tyre të përbashkët sa i përket synimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.























