Higuain: Jam i lumtur te Inter Miami, kam gjetur qetësinë e munguar
Ish-sulmuesi i Napolit dhe Juventusit, Gonzalo Higuain, që aktualisht luan me Inter Miami, ka dhënë një intervistë për “Tyc Sports”.
“Pipita” ka folur për të shkuarën e tij në kombëtaren argjentinase si dhe për të ardhmen në MLS:
“U largova nga kombëtarja duke e ditur që kisha dhënë maksimumin, nuk dua të kthehem duke e ditur që nuk mund të jap 100%. Futbolli argjentinas ka ndryshuar: në kohën time për tu larguar nga River Plate duhej një ofertë nga Reali i Madridit, ndërsa sot nuk priten më klubet e mëdhenj.
Nëse vjen një ofertë nga Kina, lojtarët shkojnë. Sa herë që lind një talent në Argjentinë, largohet shumë shpejt”.
Sulmuesi argjentinas flet edhe për të ardhmen e tij: “Këtu në Miami jam i qetë, kam gjetur stabilitetin që doja dhe jam shumë i lumtur. Ky qytet më ka sjellë atë që doja për shumë vite, qetësinë. Ka shumë respekt, futbolli nuk është një prioritet.
Tifozët shkojnë në stadium për të shijuar spektaklin dhe kur i takon të bëjnë vetëm komplimente, nuk kam marrë asnjë ofendim. Këtë qetësi që kam gjetur këtu nuk e ndërroj me asgjë në botë”, ka përfunduar Higuain.























