Lajçak dhe Escobar takohen edhe me Listën Serbe
Dy emisarët për dialogun Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar në ditën e dytë të tyre të vizitës në Kosovë janë takuar sot edhe me përfaqësuesit e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, përfshirë edhe ata të Listës Serbe.
Në një postim në Twitter diplomati Lajçak ka shkruar se ai dhe Escobar takuan sot partitë politike opozitare në Kosovë.
“Me kënaqësi dëgjova mirëkuptimin e tyre për rëndësinë dhe mbështetjen për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar diplomati sllovak.
Ndërsa në një komunikatë për media të Listës Serbe thuhet se kreu i kësaj partie Goran Rakiq gjatë takimit me dy emisarët ndërkombëtarë vuri në dukje “obligimet” e Prishtinës për asociacionin.
“Rakiq theksoi se marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe se populli serb kundërshton synimet e Prishtinës për t’i reduktuar obligimet e tyre sa i përket kompetencave të asociacionit të komunave me shumicë serbe, sikurse ato në fushën e gjyqësorit, energjetikës, diplomave dhe realizimit të vizitave për serbët në këto rajone”, thuhet ndër tjera në komunikatë.
Ndryshe, në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se asociacioni serb nuk ishte në harmoni me frymën e Kushtetutës, të përmendur në nenin 3, për “barazinë para ligjit” dhe kapitujt “të drejtat dhe liritë themelore”, si dhe “të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre”.























