Hapet edhe një qendër testimi kundër COVID-19 në Prishtinë
BKT
Lajme

Hapet edhe një qendër testimi kundër COVID-19 në Prishtinë

Ariana Kasapolli

Kryeqytetit i është shtuar ditë më parë edhe një qendër e testimit e cila funksionon në kuadër të Qendrës së Mjekësisë Familjare numër katër, ku qytetarët mund të testohen për COVID-19. Biokimistja e kësaj qendre, Ajshe Hajziri, tha se interesimi i qytetarëve për t’u testuar është i madh.

Në kryeqytet është hapur edhe një tjetër vend ku qytetarët mund të testohen për COVID-19. Në Qendrën  e Mjekësisë Familjare numër katër,  në ditë po teston rreth 300 qytetarë. Interesimi i tyre për të kuptuar nëse kanë COVID ose jo nuk po mungon.  Ajshe Hajrizi, biokimiste laboratorike i tha Radio Kosovës se fluksi i madh i qytetarëve është për shkak se kjo zonë mbulon edhe lagje përreth që e shfrytëzojnë këtë të drejtë.

“Në Qendrën e Mjekësisë Familjare numër 4, interesimi i qytetarëve për t’u testuar është shumë i madh. Kjo për shkak se është regjion i madh. Numri shkon deri në 280 pacientë në ditë. Punojmë nga ora 8:00 deri në 16:00.  Rastet pozitive janë mjaft të mëdha. Nga 214 pacientë ditën e fundit 60 kanë rezultuar pozitivë’’, tha ajo.

Ajo tha se janë të pajisur mjaftueshëm me teste dhe material shpenzues si dhe  mjete të punës.

Bislim Jakupi, 60 vjeç, i cili kishte ardhur për t’u testuar, ka folur për Radio Kosovën duke thënë se procesi i testimit po shkon mirë, ndonëse pritje ka.

 ‘’Jam duke pritur qe 20 minuta. Ka interesim të njerëzve për testim. Unë kam ardhur pasi që kam qenë me simptoma, dhe nuk e di a kam grip sezonal apo COVID. Jam i vaksinuar me dy doza kundër COVID-19, ndërkaq të treten nuk e kam marr pasi që kisha simptome qe një kohë’’, tha ai.

Ndërkaq infektologu Ilir Tolaj ka thënë se ndonëse numri i personave të infektuar me COVID, e që tashmë po shfaqen nën-versione të koronavirusit është i madh, pasqyra klinike e të sëmurëve po del të jetë e lehtë.

Ai ka deklaruar se situata epidemiologjike në vend është nën kontroll, dhe se kjo flet më së miri kur shihet se numri i të hospitalizuarve nuk e ka kaluar shifrën 200 në të gjitha spitalet e Kosovës,  derisa numri i të infektuarve në ditë ka kaluar mbi 4 mijë sosh.


MË SHUME NGA Lajme