PSG-ja në alarm, duelet ndaj Realit vendosin fatin e Pochetinos
Pavarësisht faktit që është lider i kampionatit francez dhe ka siguruar kualifikimin në fazën e 1/8-ave të Champions-it, sezoni i PSG-së nuk mund të konsiderohet brilant.
Ditën e hënë skuadra nga Parisi pësoi një dështim në Kupën e Francës pasi u eliminua nga Niza.
Pocchetino u konsiderua shumë fajtor për mënyrën se si e kishte përgatitur këtë sfidë dhe se si po i menaxhon lojtarët, mes tyre edhe Messin. Shumë futbollistë nuk janë në nivelin që pritej.
Kur kanë mbetur vetëm 2 javë nga eliminatorja në Champions kundër Realit të Ancelottit, PSG-së po i grumbullohen problemet. E para lidhet me mungesën e varianteve taktike të trajnerit.
Argjentinasi është i vetëdijshëm që një eliminim kundër “Los Blancos” do ta shkarkonte nga stoli i skuadrës. Atij gjithashtu i janë drejtuar shigjetat për faktin që ia la penalltinë vendimtare një 18-vjeçari si Xavi Simons.
Problemi tjetër është se skuadra franceze varet nga Kyilian Mbappe. Kur ylli francez nuk është titullar, ashtu siç ndodhi kundër Nice, aksionet sulmuese janë me pikatore. Duke qenë ekipi i varur nga Mbappe, edhe lojtarë si Draxler, Icardi, Herrera apo Messi nuk marrin dot përgjegjësi. Argjentinasi është rikuperuar nga COVID, por ende nuk ka shkëlqyer në Paris.
Për këtë arsye, dy ndeshjet kundër Realit të Madridit do të përcaktojnë fatin e sezonit dhe mbi të gjitha të trajnerit.























