Balla: Zgjatja e mandatit të organeve të Vetingut të votohet më 10 shkurt
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla kërkoi sot në Kuvend që në seancën e sotme të shprehet me votë përfshirja në rendin e ditës më 10 shkurt të raportit dhe votimit të ndryshimeve kushtetuese, që bëjnë të mundur zgjatjen e mandatit të organeve të Vetingut deri në 30 tetor 2024.
Në fjalën e tij në Kuvend, Balla theksoi se “kjo është në nderin dhe përgjegjësinë e çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë. Biem të gjithë dakord që procesi i Vetingut duhet të vazhdojë me të njëjtat standarde nga të njëjtat organe që e kanë kryer atë deri më tani”.
“Kemi diskutuar në konferencën e kryetarëve kalendarin dhe ndryshimet kushtetuese janë të tilla që afatet janë të përcaktuara me shumë rigorozitet nga ana e vetë Kushtetutës dhe e rregullores së Kuvendit. Asnjëri prej nesh , përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit nuk mundet ti shmanget detyrimit që vendos rregullorja që ndryshimet e kaluara në mbledhjen e Këshillit të përbashkët të Legjislacionit dhe Komisionit të Çështjeve ligjore kanë një afat 14 ditor-21 ditor. Kjo hapësirë mes datës 10 shkurt dhe 17 shkurt është hapësira e vetme që ka lënë rregullorja. Mund të hyjë në datën 10, mund të hyjë në një seancë të posaçme në 11, 12, 13, por jo më vonë se data 17. Nuk na ka lënë rregullorja asnjë hapësirë për të negociuar ose interpretuar. Jemi të detyruar ta fusim në datën 10, data 17 ka ato pikëpyetjet e veta”, nënvizoi Balla.
Ai shtoi se “nuk e konsideroj rregulloren e Kuvendit si llastik”.
Duke ftuar deputetët e PD-së që të kuptojnë rëndësinë e përmbylljes së këtij procesi, Balla tha se “nuk është një procesi që duhet politizuar, nuk është një proces ndryshimesh kushtetuese që duhet bërë pjesë e axhendave të tjera politike të forcave të caktuara politike në Kuvend.
Sipas tij, ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e afatit të Vetingut janë ndryshime, të cilat kanë ardhur si pasojë e një procesi që është i suksesshëm i pastrimit të sistemit të drejtësisë nga persona të korruptuar, me lidhje kriminale, të paaftë për të bërë drejtësi.
“Ndërgjegjja jonë për dobinë e procesit të Vetingut si një prej shtyllave kryesore të reformës në drejtësi duhet të kalojë axhendën politike të secilit prej nesh. Grupi parlamentar i PS-së nuk i ka konsideruar në asnjë moment propozimet si të vetat, të axhendës së vet politike, por ka përqafuar që prej momentit të parë këto propozime të ardhura nga ekspertë të huaj që kanë këshilluar procesin nga dita e parë. Nuk janë propozime të PS-së janë nevoja që Shqipëria ka të çojë përpara këtë proces”, theksoi Balla.
Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, tha se “e kemi bërë të qartë me qëndrimin tonë në lidhje me procedurat që ky parlament duhet të marrë lidhur me nismat kushtetuese, që u paraqitën nga ju dhe ne”.
“Sipas rregullores së parlamentet për ndërhyrje në aktin më të madh ligjor që është Kushtetuta duhet të ndiqnin të njëjtën rrugë. Në një proces, i cili duhet të ishte gjithëpërfshirës për çdo iniciativë për ndërhyrjen në Kushtetutë. Këtë e kemi kërkuar me kulm dhe kemi parë refuzimin e mazhorancës për t’i shqyrtuar në mënyrë të përbashkët këto iniciativa, për këtë arsye procesi i deritanishëm është i njëanshëm edhe momenti i përfundimit të veprimtarisë dhe futja e tyre në draft kalendar”, tha Alibeaj duke shtuar se Kushtetua është akti që duhet të ndërhyhet sa më pak ose të jetë një ndërhyrje e njëjta që të mos ndryshojë këtë akt./atsh























