Meta: Shqipëria, në krah të Ukrainës në mbrojtje të integritetit të saj
Presidenti Ilir Meta priti sot ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov.
Meta u shpreh se në takim u diskutua kryesisht për situatën rreth Ukrainës.
“Ndamë shqetësimin e përbashkët për kërcënimin e një agresioni të mundshëm rus ndaj Ukrainës mike, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”, tha Meta në një reagim.
“U informova nga ambasadori dhe përgëzova për përpjekjet e vendit të tij për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet nëpërmjet negociatave dhe në rrugë paqësore, përfshi në kuadër të formateve shumëpalëshe ekzistuese”, theksoi Meta.
“Konfirmova se Shqipëria, edhe si vend anëtar i NATO-s dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është në krah të Ukrainës në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj”, nënvizoi Meta.























