Basha: Në SPAK të bëhet vetingu i pasurisë së çdokujt
BKT
Shqipëri

Basha: Në SPAK të bëhet vetingu i pasurisë së çdokujt

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një takim me strukturat e degës 4 të PD në Tiranë.

Në fjalën e tij me strukturat e PD-së, Basha deklaroi se Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bëre bashkë për të shkatërruar Partinë Demokratike, secili për arsyet e veta.

“Pengesa e vetme për të rivendosur sundimin absolut për Edi Ramën është Partia Demokratike. I dyti e ka thënë qartë o bëhuni mbulesë për mua ose do ju shkatërroj dhe e provoi më 8 Janar, por falë vendosmërisë së demokratëve e mori përgjigjen që meritonte. Që ajo shtëpi është e demokrateve, që kjo parti është e demokratëve dhe do të jetë e demokratëve. Kurrë, asnjëherë e asnjë emri të përveçëm kushdo qoftë ai. E për të tretin nuk besoj se ka nevojë të bëj komente se tani të gjithë e kemi kuptuar lojën e tij se gjithmonë ka investuar që të dobësohet Partia Demokratike, gjithmonë ka investuar të dobësohet në forma dhe mënyra të ndryshme duke e goditur, duke e lajkatuar ndonjëherë duke bëre si ekstremist më i madh i demokratëve, pse? Për të marrë vota demokratësh dhe pastaj për t’i çuar tek Edi Rama. Këto janë dy sfida përballë të cilave gjendemi ndërkohë ne kemi një plan të qartë për të ecur përpara dhe në këtë plan na duhet të marrim gjithë atë pjesë të shoqërisë që është shumica dërrmuese e shoqërisë e cila sheh nga ne rrugët e zgjidhjes”, tha ai.

Po ashtu, Basha u shpreh se duhet t’i jepet fund politikanëve të paprekshëm.

“Të gjithë janë të prekshëm, vetëm politikanët jo, të gjithë mund t’i nënshtrohen vetingut vetëm politikanët jo. Të gjithë ndëshkohen nëse shkelin ligjin, vetëm politikanët nuk preken dhe nuk kapen duke kryer krimin. Kthimi në fytyrë njerëzore i politikës nuk do të thotë thjesht të pastrojmë politikën nga ato fytyra jonjerëzore edhe pse mua më duken të buzëqeshur nga televizioni por që në fakt nga mëngjesi deri në darkë punojnë kundër interesit publik, do të thotë po kështu në politikë të krijojmë instrumente që njerëzit që duhet të jenë ata që e shohin politikën si instrument shërbimi dhe jo si instrument përfitimi dhe që të ndodhë kjo duhet të kemi një reformë të thellë të sistemit zgjedhor që ta bëjë përfaqësimin e  qytetarëve në parlament real. jo fiktiv. Ju e dini preferencën time për një mazhoritar të pastër. Sigurisht, kjo nuk do të thotë nuk jam i hapur ta diskutoj me bashkëpunëtorët e mi në radhë të parë, me Partinë Demokratike, me të gjitha partitë dhe faktorët e tjerë politike dhe jopolitikë, me të gjithë qytetarët edhe idetë e mendimeve e të tjerëve por e rëndësishmja është në ato karrige të shkojnë përmes një vote të pacenuar dhe të pandikuar në mënyrë të paligjshme ata që përfaqësojnë njerëzit, pse? Në atë moment do luftojmë për njerëzit se do japin llogari para njerëzve dhe kur e dinë që do vijnë të japin llogari para njerëzve janë automatikisht shpresa dhe garancia që do ta mbajnë qeverinë përgjegjëse për atë që bën. Sot heshtin, heshtin ata që janë ulur atje, që kanë shumicën e kartonëve që ia kanë dhënë njerëzit, ia kanë dhënë dhe ia merr Edi Rama me veglat e tij. Një reformë e sistemit zgjedhor shoqëruar me një reformë territoriale që e rikthen pushtetin vendor që është pushteti që duhej të zgjidhë çështjen e njerëzve se një vend demokratike, shumica e problemeve zgjidhen nga pushteti vendor, pse? Sepse është afër njerëzve”, u shpreh Basha.

Basha shtoi se e vetmja pengesë është një politikë me fytyrë çnjerëzore që e ka kthyer këtë vend në një çiflig të 5 apo 6 vetave, duke nisur me tre kalorësit e apokalipsit.

“Kjo është beteja jonë. Instrumentet për ta zgjidhur këtë krizë, mjetet për ta zgjidhur këtë krizë, mundësitë për ta zgjidhur këtë krizë nuk ndryshojnë shumë nga ato të para 30 viteve. Edhe pengesat që kemi përpara nuk janë shumë të ndryshme, atëherë kishte një sistem monist, me një byro politike, me aparate të diktaturës, sot kemi një treshe e cila është gati të sakrifikojë gjithçka për të përjetësuar sundimin e tyre. Voto apo zgjidh, apo mbështet Sali Berishën, ke mbështetur Ilir Metën, ke mbajtur në pushtet Edi Ramën dhe sigurisht të mbash në pushtet Edi Ramën do të thotë të mbash në pushtet të keqen, të mbash në pushtet varfërinë, të mbash në pushtet emigracionin dhe kolapsin total të shërbimeve nga shëndetësia tek arsimi. Në këtë betejë, me përgjegjësinë që më keni ngarkuar eci orë për orë e ditë për ditë i vetëdijshëm, se çfarëdo sakrifice, apo çfarëdo forme dhe mënyre përballjeje vihem përpara e kam një detyrim ndaj vuajtjeve, sakrificave dhe kontributeve të qindra mijëra demokratëve që më kanë besuar drejtimin e familjes sonë politike dhe kjo është arsyeja pse nuk tërhiqem dhe nuk do të tërhiqem derisa të gjithë së bashku t’i japim kësaj familjeje politike dhe Shqipërisë fitoren që meriton”, tha ai.

Në vijim, Basha ka folur për aleancën e Berishës me LSI-në.

“Çfarë rrugësh kemi përpara? Dy rrugë kemi; opozitë ballore, pa kompromis ndaj Edi Ramës dhe e dyta të mbetemi parti e vlerave euroatlantike. Mund të rrimë të heshtur, mund të vendosim të mos futemi në këtë betejë, mund ta lëmë Ilir Metën, që me dorën e Sali Berishës, të marrë prapë vota demokratësh t’i çojë te Ilir Meta, ky pastaj t’i çojë tek Edi Rama. Se këto janë zgjedhjet; o me demokratët për demokratët, o me Ilir Metën për Ilir Metën, që do të thotë për Edi Ramën. Të tjerat janë broçkulla”, tha Basha.

“Shikoni si bëhen bashkë kur iu cenohen interesat! E mbani mend në 2018-ën, iniciativën për vetingun politik? Sigurisht që e mbani mend. Pse në 2018-ën edhe Sali Berisha edhe LSI e firmosën dhe sot janë kundër? Pse? Pse janë kundër sot? Sot që e kanë bërë malin e akuzave kundër meje, kundër bashkëpunëtorëve të mi, më të lartë se malin e Dajtit, unë iu them merrini këto akuza, çojini në SPAK, unë i pari shkoj në SPAK, dhe bashkë me mua të vini ju të dy, Edi Rama, gjithë ministrat dhe ish-ministrat e tij, gjithë politikanët shqiptarë, dhe atje të bëhet vetingu i politikanëve. Atje të bëhet vetingu i pasurisë së çdokujt, familjeve të çdokujt, ortakëve të çdokujt dhe lidhjeve të çdokujt me botën e nëndheshme. Pse thonë jo? Se duan të vazhdojnë raketë e shpifjeve. Nuk e duan të vërtetën! Të tre i bashkon frika ndaj të vërtetës! Të tre janë pjesë e një makinerie zhurme dhe propagande që ka për qëllim të fshehë aktualisht dy gjëra; qeverisjen më të korruptuar dhe të dështuar që ka pasur ky vend këto 30 vite, që është arsyeja numër një e varfërisë, dhe armiku numër një i mirëqenies në kuptimin e plotë të fjalës për shqiptarët, mirëqenies ekonomike, mirëqenies shëndetësorë, sigurisë për jetën, mungesës drejtësisë, mungesës rëndit publik, emigracionit masiv dhe së dyti kjo propagandë mundohet të fsheh një tjetër të vërtetë”, tha Basha. /atsh


MË SHUME NGA Shqipëri