Presidenca: Mediat të kërkojnë falje pubike për shkelje profesionale
Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas lajmit të publikuar në dy media në Kosovë, Gazeta Express dhe Ekonomia Online me titull “LVV si pushtetarë, mburret se po kursen ujë, harxhon derivate sa dhjetëra rroga minimale”, në të cilin sipas Presidencës janë bërë shkelje profesionale.
Presidenca ju ka bërë thirrje mediumeve përkatëse që të kërkojnë falje publike për këtë shkelje.
“Kërkojmë nga redaksitë e mediumeve përkatëse që të kërkojnë falje publikisht për këtë shkelje profesionale, sepse nuk është hera e parë që ndiqet një qasje e tillë në raportimet e tyre për Presidenten”, njofton Presidenca.
Reagimi i plotë:
Zyra e Presidentes reagon ndaj tendencave të vazhdueshme për denigrim dhe njollosje të Presidentes nga media të caktuara
Në lajmin e publikuar sot nga gazetaexpress.com dhe i ripublikuar nga ekonomiaonline.com, me titull “LVV si pushtetarë, mburret se po kursen ujë, harxhon derivate sa dhjetëra rroga minimale”, ndër tjera thuhet: "Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani – e cila garoi në listën zgjedhore të VV-së, ku kjo parti fitoi mbi 50% të votave – para pak ditësh, publikoi me krenari shpenzimet e Osmanit, duke thënë se asnjë cent s’u shpenzua dosido”.
Një sugjerim redaksional skandaloz në brendi të tekstit “mundesh me hjek krejt, vec nëse do m`i qepu Vjosës”, të cilin nuk kemi arritur ta verifikojmë se cili medium e ka vendosur brenda tekstit përbën shkelje të rëndë profesionale, tendencë të hapur mediale e politike të vazhdueshme për denigrim dhe njollosje të Presidentes.
Mediat e apostrofuara ia hedhin fajin njëra-tjetrës për këtë skandal, teksa kjo praktikë e këtyre mediumeve, u dëshmua se nuk përbën gabim, por qëllim.
Kërkojmë nga redaksitë e mediumeve përkatëse që të kërkojnë falje publikisht për këtë shkelje profesionale, sepse nuk është hera e parë që ndiqet një qasje e tillë në raportimet e tyre për Presidenten!























