S’komentoj vendimin e gjykatave, thotë Rama për dënimin ndaj Tahirit
“Unë nuk komentoj asnjëherë vendimet e gjykatave”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama teksa u pyet nga gazetarët për dënimin me burg për ish-ministrin Saimir Tahiri.
“Unë e kam ditur mirë çfarë kam bërë ku ka udhëhequr Reformën në Drejtësi. 100 herë të kthehesha mbrapsht 100 herë do të bëja të njëjtën gjë. Por sot jemi këtu për një çështje tjetër”, tha kreu i qeverisë në konferencë, njofton euronews.albania.
Një ditë më parë Gjykata e Posaçme la në fuqi vendimin e shkallës parë për ish-ministrin, me ndryshimin që Tahiri do të vuajë në burg dënimin me 5 vite heqje lirie.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Tahiri do të vuajë 3 vite e 4 muaj. Ai mund të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, 45 ditë nga dhënia e këtij vendimi.
Aktualisht Tahiri po qëndron në burgun 313 në kryeqytet, ku është vendosur në një dhomë më vete.























