Specialët e ushtrisë stërviten në kushte ekstreme dimri si në lindje
BKT
Shqipëri

Specialët e ushtrisë stërviten në kushte ekstreme dimri si në lindje

Në Shqipëri ushtria zhvillon stërvitje në kushte ekstreme dimërore me dëborë dhe akull.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi me vonesë se stërvitja në juglindje, në Korçë, përfshiu Batalionin e Forcave Speciale të Regjimentit të Operacioneve Speciale në Forcën Tokësore. Në një mesazh të mëparshëm, ministri Niko Peleshi ka kujtuar gjendjen e vështirë përpara "më të keqes", pa saktësuar nëse bëhet fjalë për konfliktin Rusi-Ukrainë.

Trupat speciale të ushtrisë së Shqipërisë zhvilluan një stërvitje të panjoftuar në zonën e Voskopojës, në Korçë për operacione të mundshme në kushte ekstreme të motit me temperatura nën zero, dëborë dhe akull.

Batalioni i Forcave Speciale i Regjimentit të Operacioneve Speciale në Forcën Tokësore po e zhvillon stërvitjen sipas njoftimit të mëvonshëm të ministrisë, në kuadër të planit vjetor stërvitor të Forcës Tokësore.

Qëllimi i ushtrimeve të trupave speciale është të provojë kapacitetet operacionale në stërvitjen dimërore “Selita 02” në kushtet e rënduara të terrenit nga moti i lig, njoftoi korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.

Në këtë stërvitje në kushte të ngjashme terrenti dhe moti si në frontin lindor të Europës, ushtria po provon gjithashtu kapacitetet e dislokimit të trupave dhe realizimi i goditjes së objektit si dhe ridislokim në garnizon.

Stërvitja ka kohëzgjatje 72 orë ndarazi të Forcave Speciale dhe u përcoll nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë dhe ministri i Mbrojtjes.

Në një mesazh të mëparshëm ministri Niko Peleshi ka vlerësuar në një takim me Komandën Mbështetëse të ushtrisë, gjendjen e vështirë përpara më të keqes, pa saktësuar nëse bëhet fjalë për konfliktin Rusi-Ukrainë:

“Situata që po kalojmë është një situatë me dinamika, e turbullt herë pas here, me sfida, ndaj ne duhet të jemi të përgatitur për më të keqen, për të mbështetur frontin e parë, kapacitetet tona të veçanta si ai EOD ne Letoni, por dhe kudo tjetër”.

Trupat speciale janë shfaqur me uniforma kamuflazhi dimëror, armatim, municion, pajisje për lëvizjen në dëborë dhe ngrica si dhe mjete të lehta.


MË SHUME NGA Shqipëri